Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar këtë të hënë një takim me qytetarët në Ersekë, ku ka prezantuar edhe projektet për këtë bashki. Një ndër ta, ishte edhe siguria në qytet. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri deklaroi se në 32 vite, sot në Shqipëri është numri më i ulët i vrasjeve.
“Shqipëria sot e këtij viti ka numrin më të ulët të vrasjeve në 32 vjet. Në këto vite mesatarja e vrasjeve është sa gjysma e vrasjeve të viteve të fundit para se ne të merrnim detyrën. E kuptoj shumë mirë që e keqja harrohet shpejt, e mira s’ka fund, ne kemi shumë për të bërë sepse e kemi rritur ekonominë, i kemi rritur dhe pagat, por dhe të tjerët rriten nuk rrinë në vend”.
Kryeministri përmendi edhe punën e bërë nga qeveria për dixhitalizimin e shërbimeve publike.
“Që të krahasosh Shqipërinë sot me Shqipërinë e para disa viteve dhe të thuash që gjërat këtu kanë shkuar keq e më keq, do të thotë që o të jesh totalisht i verbuar nga urrejtja ose të jesh totalisht i pakuptuar për të kuptuar të vërtetën. Flasim për korrupsion, patjetër që ka korrupsion. Por nuk ishte para 100 vjetëve, por deri para 5-6 viteve kur ju duhet të shkonit në radhë për të paguar faturën e energjisë, kur duhet të shkonit në sportele për të marrë një certifikatë ndërsa sot Shqipëria është vendi i 8 në Europë për shërbimet publike dixhitale sepse 95% e shërbimeve sot qytetari shqiptar i merr pa lëvizur fare nga vendi thjesht duke shkuar te e-Albania dhe duke marrë shërbimin që i takon dhe pa pasur nevojë të paguajë asgjë”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.



