
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, komentoi sot gjatë një takimi me gazetarët raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e biznesit në Shqipëri. Ahmetaj tha se pengesa kryesore për biznesin është korrupsioni, i cili sipas tij mbetet problem për shkak të moszbatimit të plotë të reformës në drejtësi.
Sipas tij, implementimi i plotë i reformës në drejtësi do të largonte korrupsionin, do të rriste investimet e huaja dhe do ta bënte Shqipërinë konkurruese në ekonominë botërore.
“Unë u drejtohem atyre që nuk dinë apo nuk duan ta lexojnë raportin. Departamenti Amerikan u bën thirrje atyre për të mos penguar vetingun dhe reformën në drejtësi. Ajo i ka të gjitha mundësitë ta kthejë ekonominë shqiptare në konkurruese. Me një drejtësi të fortë kemi mundësi të tërheqim më shumë investitorë”, tha Ahmetaj.
Një prej elementëve që sipas raportit pengojnë konkurrencën në treg janë partneritetet publik-privat (PPP), por sipas Ahmetajt, këto praktika stigmatizohen.
“DASH e vë theksin tek prokurimet publike dhe PPP-të. Partneriteti Publik Privat stigmatizohet, përdoret në të gjithë botën, nuk u shpik në Shqipëri”, tha ai.
Ai shtoi se në rastin e koncesioneve, sfida e qeverisë mbetet menaxhimi i risqeve.
“Nuk e bëjmë dot me burimet e buxhetit, ftojmë privatin ta bëjmë dhe afrojmë rrugën nga 20 vjet që ishte për t’u bërë në 2-3 vjet. Sfida mbetet menaxhimi i risqeve. Janë menaxhuar me kujdes të gjitha kërkesat për investimet publike, përfshirë dhe PPP”, tha ai.



