Më 22 korrik PD do të ketë një kryetar të ri i cili do të dalë nga beteja elektorale mes Lulzim Bashës dhe Eduard Selami.
Por nuk kanë qenë të paktë ata eksponentë të selisë blu, që e kanë konsideruar Eduard Selamin si një kandidaturë “kukull”, e vendosur thjesht për të dhënë perceptimin se do të bëhet garë.
I të njëjtit mendim është dhe ish- deputeti i PD-së Astrit Patozi, i cili ka deklaruar se i ka thënë personalisht Selamit që të tërhiqet nga gara. I ftuar në Abc News, Patozi deklaroi se ka patur një drekë me Eduard Selamin dhe I ka kërkuar që ta lërë të vetëm Lulzim Bashën, në mënyrë që gara të kthehet në nul.
“I kërkova që të tërhiqet nga gara. I thashë se ai është më keq se Maqo Lakrori dhe do të hyjë në histori me këtë që bën. Por ai kishte mendim tjetër dhe mendonte se do fitonte. Unë e ftoj sërish që të tërhiqet nga gara”, tha Patozi.
Astrit Patozi, ish-kandidat i PD-së nuk iu pranua si kandidaturë nga kryesia e PD-së, pasi u tha se Patozi nuk kishte kandiduar duke ndjekur procedurat zyrtare. Patozi nuk hyri në garë për shkak se nuk u plotësuan disa kërkesa që ai i radhiti PD-së, ku një ndër to ishte dorëheqja dhe jo ngrirja e Lulzim Bashës, pas humbjes që pësoi PD në zgjedhjet e 25 qershorit.



