
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka ftuar shqiptarët e Malit të Zi që të dalin në zgjedhjet e së dielës.
Përmes një shënimi në faqen zyrtare në “Facebook”, Thaçi shkruan se kontributi i shqiptarëve krijon paqe dhe stabilitet jo vetëm për Malin e Zi, por edhe për Ballkanin Perëndimor.
“Shqiptarët në Mal të Zi duhet të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet e së dielës. Ato përbëjnë një moment tejet të rëndësishëm për vazhdimin e forcimit të orientimit euroatlantik të shtetit tonë mik. U bëj thirrje të gjithë bashkëkombësve tanë, që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur dhe forcuar stabilitetin politik, paqen dhe sigurinë në tërë Ballkanin Perëndimor”, shkruan Thaçi.
Zgjedhjet parlamentare në shtetin e Malit të Zi do të zhvillohen më 30 gusht, ndërsa partitë shqiptare janë bashkuar, duke krijuar kështu një frymë uniteti tek popullsia shqiptare.
Bashkimi i partive shqiptare, sipas udhëheqësve politikë, do të garantonte më shumë vende në parlament dhe do t’i bënte ata faktorë të rëndësishëm në Malin e Zi.
Në zgjedhjet e kaluara parlamentare në tetor 2016, pati një rënie të theksuar të përfaqësimit të shqiptarëve në parlament si pasojë e përçarjes dhe mungesës së unifikimit mes tyre.



