
Gjatë seancës së Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë kërkuar sot që të zbatohet vendimi për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër për trafik.
Asamblistja e LVV-së, Aida Ferati-Doli, ka thënë se çështje e urës mbi Ibër ishte diskutuar në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian më 2015 dhe “është mbyllur kjo çështje”.

Sipas saj, çështja e urës i takon dy komunave, të Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut, si dhe Republikës së Kosovës.
Në seancë, kryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin, ka deklaruar se është për hapjen e urës, për lëvizjen e lirë “sipas standardeve evropiane”.
Ai ka thënë se zbatimi i vendimit për çështjen e urës është i obligueshëm për autoritetet lokale.
Lidhur me këtë, Bashkimi Evropian porositi se çështja e hapjes së urës mbi lumin Ibër duhet të trajtohet në kuadër të dialogut të Brukselit.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka komentuar se Brukseli ka parë mjaft kriza e njëkohësisht, sipas tij, shumë pak zgjidhje dhe hapa që çojnë drejt depërshkllëzimit.
Hapja e urës në Mitrovicë është në fakt objekt i dy marrëveshjeve në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE: nga viti 2015 dhe viti 2016.
Dhe pavarësisht përpjekjeve të Bashkimit Evropian si lehtësues, kjo urë mbetet e mbyllur për qarkullim.
Dhe meqenëse kjo është një çështje që i përket dialogut të lehtësuar nga BE-ja, negociatat dhe çdo vendim që lidhet me urën duhet të diskutohet dhe merret në dialog dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve zyrtarë të të dyja palëve: Kosovës dhe Serbisë. Kjo është shumë e qartë.
Peter Stano në këtë rrafsh përsëriti porosinë e rregullt, së është e domosdoshme që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Gjithnjë sipas tij, secila krizë e re që paraqitet, e shmang vëmendjen nga domosdoshmëria e zbatimit të marrëveshjes kryesore.
Ura mbi lumin Ibër është simbol i ndarjes së qytetit të Mitrovicës.
Në kuadër të dialogut janë arritur disa marrëveshje lidhur me këtë urë.
Vendimi për hapjen e urës u mor në Kuvendin e Mitrovicës së Veriut prillin e vitit 2023, por ky vendim nuk është zbatuar ende.



