Me rastin e shënimit të 24 majit-Ditës së Presidentit, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me ish-Presidentët Sejdiu, Pacolli dhe Jahjaga kanë bërë homazhe te shtatorja e ish-presidentit Ibrahim Rugova
Osmani u shpreh se kjo ditë ishte shpallur si e tillë nga presidenti historik Ibrahim Rugova. Sipas saj, zgjedhjet e para presidenciale të 24 majit të vitit 1992, shënuan themelimin e institucioneve të para të Kosovës dhe ishin mesazh i qartë i qëllimeve të popullit për liri dhe pavarësi.
“Sot është Dita e Presidentit e shpallur si e tillë nga presidenti Ibrahim Rugova. Sot jam e nderuar që së bashku me ish-presidentët e filluam ditën duke e nderuar arkitektin e shtetit tonë, njeriun i cili bëri bashkë popullin e Kosovës. 24 maji është ditë e rëndësishme, sepse tri dekada më herët qytetarët treguan se cili ishte vullneti i tyre, treguan se nuk do të ketë asgjë që mund ti ndalë në rrugën e tyre të drejtë për shtet të pavarur”, u shpreh Osmani.
Përderisa ish-presidenti Fatmir Sejdiu tha se Rugova ishte ikonë e pamposhtur e të gjitha kohëve.
“Rugova është ikonë e pamposhtur e të gjitha kohëve, edhe kjo ditë tregon mundin se si Kosova ka ndërtuar institucionet e veta”.
Ish-presidentja Jahjaga tha se secili nga presidentët që ka udhëhequr me Kosovën ka kontribuar në interes të proceseve nëpër të cilat ka kaluar vendi.
Sipas saj, Rugova e udhëhoqi vendin në periudhën më të rëndë, kur edhe rrezikohej shfarosja e popullit.
“Secili nga presidentët ka udhëhequr me Kosovën duke u angazhuar në proceset e shtet-ndërtimit në përmënimin e jetës së qytetarëve. Secili ka kontribuar në interes të proceseve që ka kaluar vendi. 24 maji është datë e veçantë se po kujtojmë një figurë të rëndësime. Presidenti Rugova e udhëhoqi Kosovën në periudhën ë të rëndë, kur rrezikohej edhe shfarosja”.
Edhe ish-presidenti Behgjet Pacolli tha se presidentin historik Ibrahim Rugova dha kontribut të madh për Kosovë.
Presidentja Osmani së bashku me ish-presidentët Sejdiu, Pacolli dhe Jahjaga do të vizitojnë Muzeun “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova”.
Kosova ka pasur gjashtë presidentë, Ibrahim Rugovën, Fatmir Sejdiun, Atifete Jahjagën, Behgjet Pacollin, Hashim Thaçin dhe së fundmi Vjosa Osmanin.
Në Kosovë, 24 maji shënohet si Dita e Presidentit, në përkujtim të zgjedhjeve të para presidenciale të 24 majit të vitit 1992 në Kosovë.



