Deputetët Enkelejd Alibeaj, Flutura Açka, Dashamir Shehi, Arbi Agalliu dhe Seladin Jakupllari janë bërë bashkë në një grupim për të kundërshtuar listat e mbyllura në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vitin 2025.
Në një konferencë për media Dashamir Shehi u shpreh: “Ne jemi 5 veta, por si ne mendojnë edhe 15 të tjerë aty. Ne mendojmë ndryshe nga pjesa tjetër e opozitës për shumë gjëra. Si do të hyjmë në zgjedhje do ta shikojmë rrugës. Do tentojmë të hyjmë me listë të hapur, ky është principi bazë që na bashkon. A do jenë 2, 3 apo 5 parti, do ta shohim. Sot po deklarojmë publikisht se mendojmë ndryshe nga zotërinjtë e tjerë",
Ndërsa Enkelejd Alibeaj tha: “Ne që jemi këtu, na ka bashkuar diçka. Një qëndrim i qartë në mbështetje të demokracisë. Së dyti, ne që jemi këtu mendojmë se opozita është distancuar vite dritë larg nga nevojat e publikut. Politika ka dështuar, ndaj është e udhës që sot t’i dorëzohet publikut e drejta për të vendosur. Si do të prezantohemi? Mund të prezantohemi si bashkim partish, duke i bërë thirrje edhe partive të tjera joparlamentare. Ata që na bashkohen duhet ta dinë se jemi për listat e hapura në zgjedhjet e ardhshme”.



