
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi ndoqën nga afër ecurinë e punimeve në aksin Palasë-Dhërmi.
Pjesë e projektit është edhe ndërtimi i rrugëve sekondare për aksesimin e zonave turistike të banuara me rrugën e re të projektuar. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se punimet për këtë vepër nuk krijojnë problematika sa i takon qarkullimit të automjeteve, për shkak të distancës që ky aks i ri ka me segmentin aktual.
Në të ardhmen ky segment do të lidhë daljen e tunelit të Llogarasë me Dhërmiun dhe me të gjithë planet tona afatgjata për të vazhduar më pas nga Dhërmiu dhe deri në Himarë me të njëjtin tip rruge. Trafiku nuk do të kalojë më, pas daljes së tunelit, brenda fshatit Kondraq, Dhërmiut etj, duke i lënë kështu këto fshatra me një trafik të moderuar për banorët apo për vizitorët e zonës atje dhe të gjithë ata që duan të vazhdojnë rrugën nga tuneli i Llogarasë për akoma më në jug të vendit do të kalojnë nga kjo rrugë, e cila është rrugë e drejtë, pa kthesa, do të jetë rrugë e një kategorie të lartë përsa i përket sigurisë rrugore”, u shpreh Balluku.
Zona bregdetare, nënvizoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, është shndërruar në një kantier gjigand, ku kanë përfunduar ose janë ende në proces një sërë investimesh, jo vetëm në infrastrukturën rrugore, por edhe në energjetikë apo edhe me ndërtimin e ujësjellësve të rinj, duke ju përgjigjur në këtë mënyrë zhvillimit të zonës dhe potencialeve që ajo ofron.





