Kur të nisin vitin e ri arsimor në tetor, vogëlushët e Njësisë 2 do ta gjejnë kopshtin e tyre me mjedise krejtësisht të reja dhe kushte më të mira.
Bashkia e Tiranës po punon për rikonstruksionin e plotë të godinës, të cilës do t’i shtohen edhe disa mjedise te reja për fëmijët. Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi ecurinë e punimeve dhe u shpreh i kënaqur për ecurinë e tyre, ndërsa shtoi se kopshti përveçse do të ofrojë kushte më të mira për fëmijët, do të ulë në të njëjtën kohë edhe ngarkesën në kopshtet e tjera përreth tij.
“Po përpiqemi të kapim çdo ditë, që viti i ri shkollor të na gjejë gati me kopshtet, çerdhet e shkollat e Tiranës. Kësaj here jam disafish më i lumtur sepse kopshti i fundit në “buqetën” e kopshteve që kemi rregulluar në Tiranë qëllon që është kopshti im dhe siç thotë ajo shprehja: “Këpucari këpucët e veta i rregullon në fund”, edhe kopshti im në fakt po rregullohet i fundit, megjithatë është lajm i mirë jo vetëm për mua, por edhe për prindërit që fëmijët e tyre janë të detyruar t’i çojnë në kopshtet 40 ose 41”, tha Veliaj.
Ai theksoi se me ritmin që kanë ecur deri tani punimet, kopshti i rikonstruktuar do jetë gati për fëmijët në fillim të tetorit, ndërsa theksoi se ai do ketë tashmë një kapacitet më të madh se më parë. “Do të punojmë gjatë gjithë shtatorit, që në tetor t’i sjellim këtu fëmijët, sidomos fëmijët që vijnë për herë të parë në kopësht në zonën e ‘Mihal Gramenos’. Kopshti është thuajse dyfish në kapacitet, që në një farë mënyre amortizon presionin dhe kërkesën që kemi për kopshtet publike”, u shpreh Veliaj, duke bërë të ditur gjithashtu se ky është kopshti i 29 që rikonstruktohet.
Sipas kryebashkiakut, përveç rikonstruksionit të godinave dhe ambienteve ekzistuese po punohet edhe për hapjen e disa çerdheve dhe kopshteve të reja në ato zona, ku edhe ka nevojë më të madhe dhe ku këto institucione mungojnë.
“Kopshti Nr. 18” ndodhet në Rrugën “Mihal Grameno” në Njësinë Nr.2 dhe godina e tij ishte plotësisht e amortizuar. Me investimin e Bashkisë së Tiranës po bëhet rikonstruksioni i plotë i godinës ekzistuese, si dhe është ndërtuar një shtesë që do të bëjë të mundur akomodimin e dy grupeve të reja fëmijësh. Gjithashtu, po ndërtohet një dhomë e posaçme për kaldajën, si dhe po bëhet një riorganizim i ambienteve të brendshme, ndërkohë që ambientet e fjetjes dhe të lojës do shtrohen me parket. Do të bëhen ndërhyrje në shtresat e tarracës, si dhe do të realizohet ngrohja me kaldajë me peletë.



