I pari reagoi kryeministri Edi Rama dhe pak minuta më vonë ka reaguar edhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në lidhje me takimin e kreut demokrat, Lulzim Basha në Durrës.
Kryeministri Rama theksoi se kryedemokrati po rrezikon jetën e qytetarëve shqiptarë, për të luajtur një pllakë gramafoni.
Rama tha se Basha po sfidon ligjin që ndalon grumbullimet, pasi jemi në kohë pandemie dhe deri në 23 qershor në gjendje të fatkeqësisë natyrore.
Për ministren e Shëndetësisë, Manastirliu, një shfaqje e tillë është një papërgjegjshmëri ekstreme, në kushtet e hapjes, kur më shumë se kurrë njerëzit duhet të respektojnë rregullat e mbrojtjes nga Covid-19, sepse ekspozimi është i madh.
Ajo theksoi se Basha mund t’i thotë të tëra ato që ka për të thënë, pa vënë në rrezik shëndetin e njerëzve në këtë formë ekstreme papërgjegjshmërie.
“Numrat e rritur janë efekt i parashikuar i hapjes. Por kjo ngjeshje njerëzish për qëllimet e një njeriu mund t’i rrisë numrat përtej parashikimeve më negative dhe kostoja mund të bëhet marramendëse”, u shpreh Manastirliu.

Kryetari i PD, Lulzim Basha zhvilloi një takim me banorët e Kënetës në Durrës. Basha ka dëgjuar nga afër shqetësimet dhe problemet me të cilat po përballen qytetarët.
“Në vend që të ndihmonte qytetarët paratë vazhdoi ti çonte te oligarkët. Vetëm pardje thesari i shtetit pagoi 700 mijë euro të parave tuaja, të taksave tuaja për inceneratorin e Tiranës. Për ti hapur rrugë ndërtimit të kullave, shembi Teatrin dhe do të marrë 30 milionë euro borxh. Sepse interesi i Edi Ramës nuk janë qytetarët që sot janë në pamundësi”, shkruan Basha, në një shënim në faqen e tij në Facebook.
Kryedemokrati ka deklaruar gjithashtu se ndryshimi do të vijë, duke premtuar se PD do t’u shërbejë njerëzve.
“Që ekonomia të rimëkëmbet pas shkatërrimit nga RAMAVIRUSI, që të ulet papunësia dhe shqiptarët të jetojnë në normalitet duhet urgjentisht një qeveri që mendon e kujdeset për njerëzit. Unë dhe Partia Demokratike kemi vullnetin, vizionin, përvojën dhe dëshirën për t’i shërbyer qytetarëve”, tha kryedemokrati.



