
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, del me deklaratë lidhur me vizitën e kreut të SPAK, Arben Kraja dhe një grup hetuesish të Byrosë Kombëtare të Hetimit, me në krye Aida Hajnaj.
Ambasada thotë se një prokuror i SPAK-ut dhe një grup hetuesish të Byrosë Kombëtare të Hetimit vizituan Uashington D.C., javën e kaluar, ku u takuan me zyrtarë nga Departamenti i Drejtësisë dhe Departamenti i Shtetit, Byroja Federale e Hetimit (FBI), Administrata për Luftën Ndaj Narkotikëve (DEA), Qendra për Koordinim dhe Analizë e Maryland, dhe Departamenti i Policisë së Baltimorës (BPD).
Komisioneri dhe Zv. Komisioneri i Zyrës së Integritetit Publik (ish investigues për korrupsionin publik dhe krimin e organizuar i FBI-së) nga Departamenti i Policisë së Baltimorës i mirëpritën ata.
Ata u takuan edhe me një drejtues të Departamentit të Drejtësisë, i cili ka udhëhequr hetimet dhe ndjekjet penale të nivelit të lartë për korrupsionin publik si prokuror federal.
Këtë javë, grupi është në Akademinë e FBI-së në Quantico, Virxhinia, duke u trajnuar dhe ndarë përvojat me agjentët dhe ekspertët nga agjencia më e madhe e ligjzbatimit në botë.
Një grup i dytë hetuesish do të ndjekë të njëjtin program javën e ardhshme. Vizitat e këtij muaji nisën më 3 gusht, me takime të nivelit ekzekutiv mes agjencive ndërinstitucionale të Shteteve të Bashkuara dhe Prokurorisë së Posaçme dhe BKH-së në SPAK.



