Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar kërkesën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për shfuqizimin e një vendimi të Shkallës së Parë për pezullimin e afateve të paraburgimit.
Seanca e mëparshme u shty për shkak të parregullsive në procedurën e njoftimit nga Drejtoria e Burgut të Durrësit. Sipas gjyqtares Saida Dollani, institucioni kishte paraqitur vetëm një kopje të dokumentit që pretendonte se vërtetonte dijeninë e Veliajt për datën e gjyqit, dhe jo dokumentin origjinal, çka solli shtyrjen e shqyrtimit.
Vendimi për pezullimin e afateve ishte marrë në dy seanca nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për shkak të mungesës së disa të pandehurve të tjerë në proces.
Veliaj e kundërshton këtë masë, duke e cilësuar të padrejtë dhe duke theksuar se ai ka qenë i përfaqësuar në mënyrë të rregullt nga mbrojtja ligjore. Sipas tij, pezullimi i afateve nuk duhet të aplikohet në mënyrë kolektive për të gjithë të pandehurit.
Çështja ka rikthyer në vëmendje debatet mbi praktikën e pezullimit të afateve të paraburgimit, e cila, sipas avokatëve, cenon të drejtat individuale dhe penalizon persona që nuk kanë përgjegjësi për vonesat në proces.
Ata kërkojnë rishikim të Kodit të Procedurës Penale, duke argumentuar se qëndrimi në paraburgim, i cili llogaritet si një ditë e gjysmë burg, ndikon drejtpërdrejt në dënimin përfundimtar.
Veliaj ndodhet në masën “arrest me burg” që prej 10 shkurtit 2025. Ndaj tij rëndojnë akuza për korrupsion pasiv në nëntë raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit.



