Pyetjes nëse presidenti Ilir Meta ka bërë shkelje të Kushtetutës, konstitucionalistja Aurela Anastasi refuzoi ti përgjigjej. E ftuar në “Arnautistan” në MCN TV, Anastasi tha se duhen analizuar me kujdes të gjitha fazat dhe se duhet dëgjuar edhe vetë presidenti në lidhje me çështjet që shtrohen nga Kuvendi.
“Nuk i përgjigjem kësaj pyetje sepse unë jam jurist dhe nga kjo pikëpamje unë bashkohem me një qëndrim në rastin e gjykimit nga Gjykata Kushtetuese. Pretendimet e ndritura duhen parë me kujdes. Unë nuk jam gjyqtare, por si jurist duhet të shikoj fazat me kujdes. Deri tani jemi në fazën e shkeljes së rëndë të kushtetutës. Unë nuk mund të flas sepse nuk kam dëgjuar presidentin e republikës në lidhje me çështjet që shtrohen nga Kuvendi. Është shumë herët për të dhënë një përgjigje të tillë. Ne nuk kemi praktika kombëtare në këtë fushë, kemi vetëm një procedurë të ndërprerë pa shkarkimin e presidentit. Në lidhje me atë çështje mund të shohim qëndrime të ndryshme në botë”, tha Anastasi.
Anastasi gjithashtu tha se “tejkalimin e kompetencave” për të cilat akuzohet Meta nuk përbëjnë bazë për shkarkimin e tij.
“Argumente janë parashtruar dhe ato duhet të shoshiten. Këto çështje që janë ngritur kanë të bëjnë me mosrespektimin dhe cënimin e disa neneve të kushtetutës. Nëse ne do të rrimë në argumentin e shkeljes së nenit 94 që ka të bëjë me tejkalimin e kompetencave në lidhje me dekretin e shtyrjes së datës së zgjedhjeve, kjo shkelje mund të konsiderohet si jo e rëndë që të shërbejë si bazë për shkarkimin e tij. Jemi në një situatë të vështirë në kuptimin e periudhës së kalimit të pushtetit, mbledhjes së kuvendit të ri, është një periudhë e ngjeshur, Në këtë pikëpamje jemi në një periudhë të vështirë dhe shkarkimi i presidentit do të krijonte vështirësi të reja. Deri javën e parë të korrikut kemi afat në përmbylljen e procedurave. Ne shkojmë një ngutje nga kuvendi për përshpejtimin e procedurës, nëse kjo do përfundojë ne do vijojmë me çështjet kushtetuese të radhës. President i shkarkuar nga kuvendi dhe maksimumi më 9 shtator do fillojë mbledhja e parlamentit të ri, a do ta thirr një president i shkarkuar. Kuvendi i ri thirret nga presidenti”, shtoi ajo.



