Kreu i shtetit ka vendosur një kurorë me lule tek memoriali që është ngritur për nder të 4 dëshmorëve të Demokracisë që ranë gjatë demonstratës anti-komuniste.
Në një prononcim për mediat Meta tha se jemi këtu për të nderuar kujtimin e martirëve të demokracisë dhe për të çuar deri në fund amanetet e tyre.
“Sot bëhen 3 dekada që nga ajo ditë e 2 prillit të vitit 1991, ku 4 djem nga më të mirët e Shkodrës dhe Shqipërisë u vranë pabesisht, pikërisht se dolën në mbrojtje të demokracisë, të zgjedhjeve të lira dhe protestës demokratike. Sot jemi këtu për të nderuar kujtimin e tyre, të paharruar, jemi këtu edhe për tu angazhuar për ta çuar deri në fund amanetin e tyre dhe dëshmorëve të tjerë që ranë për demokracinë, zgjedhjet e lira, mendimin e lirë në Shqipëri”, u shpreh Meta.
Më tej kreu i shtetit tha se Shqipëria ende vuan nga mungesa e zgjedhjeve të lira dhe fenomeni i partisë-shtet.
“Ende Shqipëria vuan nga mungesa e zgjedhjeve të lira, fenomeni i partisë-shtet dhe kapja e shtetit. Ndaj është momenti që të gjithë të niseni drejt 25 prillit, kësaj dite vendimtare për të vendosur vendin në shinat e kushtetutës dhe demokracisë. Unë jam i bindur se Shkodra do të jetë në krye të këtij marshimi sepse ka qenë zemra edhe në kohët më të errëta të vendit. Sot jam i bindur, akoma edhe më shumë”, tha Meta.



