Gazetari Mariglen Kume komentoi procesin e përjashtimeve brenda Partisë Demokratike, që kanë ndodhur pas largimeve të shumta pas dorëheqjes së Salianjit.
Në MCN Live, Kume theksoi se vendimet në PD nuk merren pa dijeninë dhe dakordësinë e Sali Berishës.
Me bindje ta them, askush në atë parti që ka të bëjë me vendimmarrje politike nuk vepron pa dijeninë e Berishës. Të vësh fajin diku tjetër është si të akuzosh dikë që duket si pre më e lehtë. Noka nuk vendos pa informacionin e duhur nga Berisha.
Formati i listave gjysmë të mbyllura dhe i listave të hapura u krijua për të garantuar që vendimet e rëndësishme të kalonin në duart e kryetarit të partisë. Berisha është duke bërë listën e personave që i qëndrojnë pranë dhe nuk i dalin kundër.
Ai shtoi se ky mekanizëm synon ruajtjen e kontrollit mbi vendimmarrjen dhe parandalimin e sfidave ndaj drejtimit të partisë.
Sipas tij, kjo situatë ka rritur shqetësimin se PD po bëhet një “patericë” e qeverisë së Ramës, duke humbur potencialin për t’u konsoliduar si një alternativë e fortë ndaj Partisë Socialiste.
Për të kuptuar në çfarë trendi po shkon PD, mjafton të kujtojmë zgjedhjet e 11 majit. Pas primareve dhe formimit të listave sipas sondazheve pati përjashtime dhe individë të zhgënjyer, duke krijuar një frymë përçarëse. Nëse kjo frymë përjashtuese vazhdon, rezultati nuk mund të jetë ndryshe nga ai i 11 majit.
Në fund ai theksoi se vazhdimi i kësaj logjike mund të ndikojë negativisht jo vetëm në kohezionin e PD-së, por edhe në performancën e saj elektorale në zgjedhjet e ardhshme.



