Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, nga Shijaku denoncoi sot qeverinë duke e akuzuar si mafie të inceneratorëve.
Meta theksoi se miliona euro shkojnë në Holandë dhe jashtë vendit, ndërkohë që inceneratorët nuk ekzistojnë dhe taksat për pastrimin janë rritur.
Gjatë fjalës së tij nga vendgrumbullimi i plehrave që u dogjën sot në Shijak, Meta tha:
Rriten taksat e pastrimit dhe miliona euro për mafiet e inceneratorët në Holandë edhe jashtë shtetit, në vend që të shkojnë për trajtimin e tyre me inceneratorë që nuk ekzistojnë. Helmohen fëmijët, familjet, tokat, gjithçka, në këtë vend të mrekullueshëm dhe të bekuar që Shijaku duhet të jetë modeli i agroturizmit. Kështu vepron mafia, merr lekët e plehrave dhe i djeg ato në mënyrën më kriminale duke rrezikuar shëndetin dhe jetën e banorëve. Kjo ndodh sepse këtu qeveris mafia e inceneratorëve. Ushtrojnë terror ndaj njerëzve që të mos ankohen, të mos lajmërojnë politikanët. Prandaj jemi këtu për të treguar solidaritet me banorët dhe për t’u bërë thirrje të gjithëve të reagojnë kundër kësaj mafie që po shkatërron këto pasuri të jashtëzakonshme që ka Shijaku”.



