Kryeministri Edi Rama në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, mes të tjerash ka thënë se disa bashki në vend kanë rritur taksat vendore dhe për këtë do të bëhet një vlerësim i hollësishëm, nëse rritja e kërkuar është abuzive apo e nevojshme.
Por, cilave bashki iu referohet kryeministri teksa kërkon korrigjimet? Viti 2017, për kryeqytetin ishte viti ku në kryeqyet taksat vendore pësuan rritje në disa zëra. Po kështu edhe në bashkitë e tjera të kategorisë së parë, u reflektua rritje sidomos në taksën e tabelës për bizneset dhe tarifës së parkimit të automjeteve për qytetarët. Kjo e fundit u iniciua në Tiranë dhe u huazua edhe nga Bashkitë e tjera Durrës, Vlorë, Korçë, Fier etj.
Një taksë tjetër që shkon me rritje për bashkitë e mëdha është ajo e pronës, e cila aplikohet me një formulë të re nga ky vit dhe ka si llogaritje bazë vlerën e pronës. Po ashtu, tarifa e çmimit të ujit ka pësuar rritje graduale, në bashki, të cilat kanë përmirësuar rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve, si Korçë, Durrës e Pogradec, ndërsa në vitin 2018 kjo tarifë pëson rritje në Tiranë e Korçë.
Madje, bashkitë e mëdha në këtë faturë mujore kanë futur edhe pagesa të tjera që dikur qytetarët i paguanin një herë në vit. Dhe duke iu referuar sektorit të Ujësjellësit, kryeministri, i cili ka shpalluar së fundmi reformë drastike, është shprehur se kryebashkiakët dhe drejtorët që do të tolerojnë lidhjet e paligjshme, nuk do të kandidojnë apo rizgjedhen në postet që kanë.



