Shoqata e Prokurorëve ngre shqetësim lidhur ndryshimet e propozuara në nenin 24 të Kodit të Procedurës Penale, duke vlerësuar se detyrimi për vënien në dispozicion të të gjitha akteve dhe provave që në momentin e njoftimit të akuzës mund të cenojë efektivitetin e hetimeve.
Me anë të një deklarate shoqata thekson se, njoftimi i akuzës mund të bëhet edhe në një fazë kur hetimet janë ende në zhvillim, ndërsa vijon mbledhja e provave, identifikimi i personave të tjerë dhe përdorimi i teknikave të posaçme hetimore.
Për këtë arsye, zbulimi i plotë i dosjes në këtë moment mund të ekspozojë informacione që rrezikojnë ecurinë e hetimit.
Më tej nënvizohet se e drejta e mbrojtjes duhet të garantohet përmes aksesit në provat dhe aktet që lidhen me akuzën, përfshirë edhe provat në favor të të pandehurit.
Megjithatë, sipas saj, ky detyrim duhet të ketë kufij të qartë dhe të mos shtrihet automatikisht mbi materiale që lidhen me hetime të tjera apo me persona të tretë.
Materialet që lidhen me akuzën dhe mbrojtjen e një të pandehuri duhen dalluar nga ato që ekspozojnë pjesë të tjera të hetimit, zbulimi i parakohshëm i të cilave mund të rrezikojë provat, dëshmitarët ose viktimat.
Kufizime të tilla nuk synojnë të cenojnë të drejtën e mbrojtjes, por të shmangin ekspozimin e panevojshëm të veprimeve hetimore ende në zhvillim.
Shoqata sjell shembullin e një hetimi për korrupsion ku janë të përfshirë disa persona dhe thuhet se nëse i gjithë materiali hetimor i vihet në dispozicion njërit prej të pandehurve, mund të bëhen të njohur dëshmitarët, burimet e informacionit dhe verifikimet ndaj personave të tjerë që ende nuk janë në dijeni të hetimit.
Po ashtu, shtohet se njoftimi i menjëhershëm i çdo prove të re mund të krijojë mundësi për koordinimin e deklarimeve, ndikimin mbi dëshmitarët apo fshehjen e provave.
Një tjetër pikë shqetësimi lidhet me parashikimin që aksesi në materialet e kërkuara të bëhet automatikisht në rast se gjykata nuk shprehet brenda 48 orëve.
Sipas shoqatës, kalimi i këtij afati nuk do të thotë domosdoshmërisht se rreziku për hetimin, dëshmitarët apo viktimat ka pushuar.
Shoqata vlerëson se kërkesa për miratim gjyqësor edhe në rastet kur prokurori pranon dhënien e aksesit mund të shtojë procedura të panevojshme, pa pasur një mosmarrëveshje mes palëve.
Barazia e armëve nuk kërkon simetri të plotë informacioni në çdo fazë të hetimit. Kufizime të përkohshme të aksesit, kur janë të arsyetuara, proporcionale dhe të kontrollueshme, garantojnë njëkohësisht mbrojtjen efektive, sigurinë e personave dhe ruajtjen e provës.
Në përfundim, shoqata kërkon ruajtjen e modelit aktual të njohjes së shkallëzuar me aktet gjatë hetimit, ku i pandehuri ka akses në materialet që mbështesin masën e sigurimit, ndërsa njohja e plotë me dosjen realizohet në përfundim të hetimeve.
Ky mekanizëm, sipas saj, garanton mundësinë për të kundërshtuar provat dhe për të kërkuar veprime të tjera hetimore, pa cenuar njëkohësisht efektivitetin dhe sigurinë e procesit hetimor.
