Partia Demokratike i ka bërë thirrje qeverisë që të marrë masa për të mbrojtur personelin shëndetësor dhe qytetarët nga koronavirus.
PD, thekson se është detyrim ligjor që qeveria të pajisë mjekët me mjete mbrojtëse.
Sipas PD-së, po bëhet 1 javë që kur është konfirmuar rasti i parë me koronavirus, por qeveria nuk ka marrë asnjë masë që të përmbushë kërkesën kryesore për të pajisur me mjetet mbrojtëse të gjithë personelin shëndetësor në vend.
“Shqipëria ka personel të kufizuar shëndetësor dhe nuk kemi luksin që ata të futen në karantinë. Nëse kjo ndodh masivisht, bie muri mbrojtës mes qytetarëve dhe virusit të rrezikshëm. Mjekët nuk do të jenë në gjendje të trajtojmë qytetarët e sëmurë”, citohet nda deklarata e PD-së.
PD, bën me dije se kjo nuk është një çështje dëshirash, por një detyrim ligjor.
Ajo, nënvizon se neni 6 i ligjit nr. 15/2016 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, sanksionon detyrimin që Qeveria të marrë masa të përgjithshme për mbrojtjen nga sëmundjet infektive të punonjësve të shëndetësisë.
“Ligji detyron sigurimin e mjeteve të mbrojtjes personale të punonjësve të shëndetësisë dhe personave të tjerë të ekspozuar ndaj agjentëve infektues nga kontaminimi, infektimi dhe prekja nga sëmundjet infective”, arsyetojnë demokratët.
Sipas PD-së, duke e vlerësuar kohën si mjetin më të mirë, kryeministri dhe qeveria e tij, duhet të marrin disa masa të detyrueshme nga ligji.
1. Mbrojtja e personelit mjekësor me pajisje dhe mjete speciale.
2. Dezinfektim me shpejtësi në nivel kombëtar për rrugët, mjediset publike dhe ndërtesat jopublike.
3. Miratimin pa vonesë të paketës social-ekonomike për shmangien e krizës.



