
Partia Demokratike ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen konfidenciale të huasë prej 302 milionë dollarësh me SHBA për blerjen e pajisjeve ushtarake, duke kundërshtuar mënyrën e ndjekur nga mazhoranca për miratimin e saj në Kuvend.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se opozita e mbështet në parim marrëveshjen, pasi sipas tij ajo i shërben modernizimit të Forcave të Armatosura dhe përmbushjes së detyrimeve të Shqipërisë në NATO.
Megjithatë, ai akuzoi shumicën parlamentare se ka cenuar procedurat kushtetuese dhe të drejtat e deputetëve për t’u njohur dhe debatuar mbi dokumentin përpara votimit.
Sipas PD-së, janë shtatë pika kryesore që e bëjnë marrëveshjen objekt kontrolli kushtetues. Opozita pretendon se deputetëve nuk iu vu në dispozicion në kohë teksti i marrëveshjes dhe dokumentacioni financiar, se u kufizua mundësia për debat dhe amendamente, si dhe se u shkelën afatet parlamentare për shqyrtimin e projektligjit.
PD kundërshton gjithashtu argumentin e urgjencës, duke deklaruar se marrëveshja ishte miratuar në parim më herët dhe se qeveria kishte pasur kohë për ta ndjekur procedurën normale. Sipas saj, shqyrtimi i përshpejtuar brenda një dite ka penguar edhe ushtrimin e kontrollit kushtetues nga opozita.
Një tjetër pretendim i Partisë Demokratike lidhet me klasifikimin konfidencial të marrëveshjes, për të cilën ajo thotë se krijon probleme me publikimin në Fletoren Zyrtare dhe hyrjen në fuqi sipas kërkesave kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese tashmë do të shqyrtojë kërkesën e opozitës për të vlerësuar nëse procedura e ndjekur nga Kuvendi për ratifikimin e marrëveshjes ka qenë në përputhje me Kushtetutën.



