Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, reagon nga burgu lidhur me seancën ku do të bëhet vlerësimi i masës së sigurisë në Apelin e GJKKO.
Meta thotë me anë të një mesazhi në rrjetet sociale se është në dijeni të iniciativave të personave të paautorizuar nga unë apo spontane për të protestuar përpara gjykatës, por i cilëson si veprime të padobishme dhe të dëmshme.
Ai kërkon distancimin nga këto grumbullime, duke thënë se betejën e tij ligjore e ka bazuar në parashtrimin e gjithë të vërtetave përpara gjykatës.
Të dashur anëtarë dhe simpatizantë të Partisë së Lirisë!
Siç jeni në dijeni, nesër në ora 10:00, në Gjykatën e Apelit (GJKKO) zhvillohet seanca gjyqësore me objekt revokimin e masës së paligjshme të arrestit me burg të aplikuar ndaj meje prej një muaji.
Jam në dijeni të iniciativave të personave të paautorizuar nga unë apo spontane për të protestuar përpara gjykatës.
Ju bëj me dije se veprime të tilla janë të padobishme dhe të dëmshme.
Betejën time ligjore e kam bazuar në parashtrimin e gjithë të vërtetave përpara gjykatës duke denoncuar inekzistencën e provave ndaj meje në këtë proces kryekëput politik.
Në këto kushte, çdo grumbullim apo protestë para gjykatës në ditën e gjykimit i konsideroj si shpërqendrim të opinionit publik ndaj thelbit të çështjes, ndaj ju bëj thirrje të distancoheni nga çdo iniciativë për grumbullime dhe protesta.
I Juaji, Ilir Meta.



