Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë paralajmëruar sot se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë së vazhdimit të tri seancave të fundit konstituive të Kuvendit.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, deklaroi se propozimi për kryetar të Kuvendit duhet të ndryshohet, duke e cilësuar si shkelje kushtetuese mënyrën se si janë zhvilluar tri vazhdimet e fundit të seancës konstituive. Ai njoftoi se çështja do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërkohë, deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, theksoi se shkeljet kushtetuese po vazhdojnë në çdo seancë të Kuvendit që prej publikimit të aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese. Ai kërkoi që Lëvizja Vetëvendosje të rikthehet në rendin kushtetues dhe të respektojë Kushtetutën.
“Jemi në përgatitje të lëndës për ta adresuar në Kushtetuese. Aktualisht jemi në koordinim dhe bashkëbisedime për mënyrën më të përshtatshme të adresimit. Megjithatë, mbetet e qartë se si aktgjykimi i fundit, ashtu edhe Kushtetuta, po shkelen në seancat e fundit,” tha Zogaj.
Edhe sot, përpjekja e 41-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe zgjedhjen e kryetarit të tij përfundoi me dështim, duke shtyrë edhe më tej formimin e institucioneve të reja.
Pas disa muajsh nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare, bllokada politike vijon, ndërsa partitë nuk kanë arritur ende një marrëveshje për funksionalizimin e Kuvendit.



