Përmes një deklarate për mediat jashtë Kuvendit, kryedemokrati Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama dhe ish-kreun e PD Basha, si të lidhur në atë që e konsideroi si "marrëveshjen mafioze të Portit të Durrësit".
Çdo kandidat që del, gjoja, është në emër të Edi Ramës. Kjo është shumë e qartë, ne e kemi përcaktuar Edi Ramën si armikun numër një të PD-së, si njeriun që kërkon të zhdukë opozitën dhe PD-në, por si njeriu që do marrë përgjigjen më ndëshkuese për këto veprime, pasi PD është në të drejtën morale dhe kushtetuese për të qenë opozitë e pavarur. Ju e shihni sot, përfytyroni për një moment, kjo marrëveshje ishte për tragjedinë e Shqipërisë, marrëveshje opozitë-pozitë, por jo si formacione politike, por si persona hajdutë. Klani Rama dhe klani Basha, kjo është e faktuar. Ai që ishte, se ka njerëz që më thonë pse e thua, se e them për të vërtetën, se ai ishte administrator i Simfonisë, ishte administrator edhe i Ramës, edhe i Bashës.
Mos të kujtojë kush se po bëj akuzë politike, por po them të vërtetën e hidhur. Ky njeri tha se dha dorëheqjen nga ndërmarrja e Bashës dhe jo nga Simfonia. Por pas një muaji rezultoi se ishte sërish te të dyja. Pra, kjo ishte pika e mjaltit.
Kjo do ishte e tmerrshme, opozita e blerë me marrëveshjen mafioze të Portit të Durrësit".
Berisha e konsideroi si akt pabesie të Edi Ramës përmbytjen e Shkodrës dhe Nënshkodrës.
Sipas Berishës pa informuar sikundër parashikon ligji, u hapën tunelet dhe portat e Komanit dhe Vaut të Dejës duke krjuar një dallgë përmbytëse.
Berisha tha ndër të tjera se KESH duhet të ketë një fond rezervë për përmbytjet.
Të nderuar qytetarë, në interpelancë po flet autori i vërtetë i dramës që po përjetojnë Shkodra dhe Nënshkodra, po flet njeriu që në pabesi, në mesnatë, pa informuar asnjë njeri, pa informuar sipas ligjit, autoritetet vendore, hapi të gjitha tunelet dhe portat e Komanit dhe Vaut të Dejës, dhe krijoi një dallgë përmbytëse të tillë që nuk e kishte parë Shkodra, dallgë e cila nxori nga themelet urën e vjetër të Bahçallëkut, monument kulture, dallgë që përmbyti në një kohë të shkurtër 500-600 banesa. Ky akt i mosnjoftimit është vepër penale. Qëllimi ishte që përmbytja të mos i faturohej hapjes së digave dhe kaskadës, që me ligj bëhet përgjegjëse për dëmshpërblimin e banorëve. E dyta, të fshihte faktin se për ditë të tëra nuk prodhoi energji elektrike, duke lejuar edhe rritjen e lartësisë së ujit në Koman, që është një liqen me kapacitet realisht të kufizuar dhe mbushet dhe stërmbushet nga lumenjtë e rrëmbyer brenda një kohe të shkurtër. Reshjet ishin të paralajmëruara, por të gjitha këto nuk e penguan dyshen Rama-Balluku që të importonte energji me 230 euro megavati, në një kohë kur portat hapeshin dhe shkonin në det duke ndëshkuar shqiptarët. Pasi e kreu këtë akt, në vend që të kërkonte ndjesë, në vend që të premtonte se do dëmshpërblente dëmet një më një, duhet ta dini se të gjitha të mbjellat nën ujë, shkatërrohen, kryesisht kishte grurë. U shkatërroi të gjithë ekonominë me një akt pabesie në mesnatë, duke hapur dyert pa asnjë paralajmërim. Tani del në interpelancë dhe do bëjë krahasime të pakrahasueshme”.



