Gazetari Mariglen Kume ka zbardhur detaje nga mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike, ku për rreth 5 orë është diskutuar gjerësisht ndryshimi i statutit dhe mënyra e përzgjedhjes së kandidatëve.
Për MCN Live gazetari Mariglen Kume, u shpreh se shumica e anëtarëve të kryesisë kanë kërkuar heqjen e nenit për primaret, por kjo është kundërshtuar në vendimmarrje.
Unanimisht në pjesën më të madhe të diskutimeve ka qenë heqja e primareve nga statuti i PD-së. Shumica absolute e anëtarëve kërkonin heqjen e nenit për përzgjedhjen e kandidatëve, por Berisha vendosi që kjo çështje të diskutohet më vonë.
Ai theksoi gjithashtu se është vendosur krijimi i një komisioni filtrimi për kandidaturat para se ato të kalojnë në votim brenda anëtarësisë.
Sipas tij, “komisioni do të bëjë filtrimin e kandidatëve që do të garojnë për bashki apo deputetë, dhe më pas emrat e përzgjedhur do të shkojnë për votim në degët përkatëse”.
Kume shtoi se debati për primaret ka reflektuar analizën e zgjedhjeve të fundit, ku një pjesë e kryesisë i konsideron ato si faktor për përçarje brenda partisë, ndërsa Sali Berisha ka vendosur ruajtjen e tyre, duke propozuar vetëm modifikimin e procesit përmes filtrimit paraprak të kandidaturave.



