Komisioni rregullator ka miratuar vendimin e parë që i hap rrugë aplikimit të teknologjisë në zgjedhje. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka shpjeguar se teknologjia është një prej sfidave kryesore në procesin e përgatitjes së procesit të 25 prillit dhe për këtë arsye ky është vendimi i parë që KQZ kalon.
Vendimi përcakton karakteristikat teknike që duhet të plotësojnë pajisjet e identifikimit elektronik të zgjedhësve që do përdoren në zgjedhjet e 25 prillit.
Në 25 prill synohet që në të gjithë vendin qytetarët t’i nënshtrohen identifikimit biometrik. Për këtë arsye në çdo qendër votimi do të ketë një pajisje e cila përmban të gjithë listën e votuesve për atë zonë, të dhënat për çdo zgjedhës dhe foton e tyre.
Çdo qytetar kur të votojë do t’i dorëzojë komisionit të qendrës së votimit kartën e identitetit, dhe do të lejë shenjën e gishtit si firmë që ai ka votuar.
Në njoftimin e KSHZ thuhet se ”Për identifikimin e zgjedhësve do të implementohet Sistemi Elektronik i Identifikimit të Votuesve (SEIV) dhe do të përdoren Pajisje Elektronike të Identifikimit (PEI) të vendosura në çdo qendër votimi, të cilat do të sigurojnë identifikimin e saktë të zgjedhësve, bazuar në regjistrin elektronik të mbajtur në pajisje.
SEIV duhet të ofrojë të gjitha modulet e nevojshme “software” si dhe pajisjet “hardware” që do të mundësojnë menaxhimin e listës së zgjedhësve dhe të dhënat e votuesve, menaxhimin e pajisjeve elektronike të identifikimit, si dhe të kryqëzimit të të dhënave të identifikimit të të gjitha pajisjeve elektronike të identifikimit pas përfundimit të votimit, për të gjurmuar votimin e të njëjtit zgjedhës më shumë se një herë në të njëjtën qendër votimi, në më shumë se një qendër votimi dhe/ose në emër të zgjedhësve te tjerë.
Procesi i identifikimit elektronik duhet të përfshijë të njëjtat parime identifikimi sikurse kryhet në kushte manuale, dhe nuk duhet të ndryshojë thelbësisht apo të zgjasë a vështirësojë procesin e identifikimit të zgjedhësve.
Gjithashtu, vendimi i miratuar nga Komisioni Rregullator përcakton një sërë karakteristikash teknike të sistemeve dhe pajisjeve të teknologjisë së informacionit që do të përdoren në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë”.



