Kreu i LSI-së Ilir Meta e ka vlerësuar imediate zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri dhe uljen në dialog të kryeministrit Edi Rama dhe liderit të opozitës Lulzim Basha.
Kjo, pasi sipas tij, periudha para zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit, përkon edhe me zgjedhjen e presidentit të ri. Por jo vetëm kaq, edhe me krijimin e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë në vend, në kushtet kur institucioneve aktuale i mbaron mandati.
“Ky moment përkon me zgjedhjen e presidentin, por edhe kur na duhet të krijojmë institucionet e reja të drejtësisë, por po skadojnë edhe afatet e institucioneve aktuale, dhe mund të krijohet një vakum institucional që mund të fusë në kolaps gjithë vendin, dhe mund të zhvlerësojë çdo reformë dhe progres që kemi arritur deri tani. Nuk besoj se ndokush do ketë qëndrimin ta marrë përsipër këtë rrezik”, u shpreh Meta i ftuar në “Arena” në "Ora News".



