Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi të shtunën akuzoi Qeverinë se ka shpallur tendera sekret për blerjen e letrave higjienike në shkelje me ligjin, e ndërsa thotë se është më shqetësuese heshtja e Prokurorisë.
Përmes një deklarate për mediat, Bardhi theksoi se janë plot 10 tendera të rinj të zhvilluar në datë 18 prill, që Qeveria i ka klasifikuar përsëri sekret.
Sipas tij është e paimagjinueshme që mes ketyre kontratave sekrete janë dhe tenderat për blerjen e letrave higjienike me procedurë sekrete, letrat e duarve dhe kartopeceta.
Bardhi thekson se akoma më shqetësuese është heshtja e Prokurorisë, karantinimi i saj, futja në xhepin e Edi Ramës, që ka bërë që hajdutët e qeverisë të marrin zemër.
Ai tregon se forma më e re për të abuzuar me paratë, është klasifikimi sekret i tenderëve për COVID-19.
“Vendimi i qeverisë së Ramës që është publikuar dhe në fletoren zyrtare nuk lë vend për asnjë hamendje. Mjerim më të madh për një qeveri nuk mund të ketë. Tregues se deri ku shkon babëzia për të vjedhur paratë e qytetarëve. Është një shkelje flagrante e ligjit, ku është sekreti shtetëror se sa letra higjienike janë blerë. I fsheh se i ka blerë me çmime të larta", tha Bardhi.
Bardhi shprehet se kjo Qeveri bleu respiratorë me dyfishin e çmimit, bleu testimet me 4 fishin e çmimit, bleu maskat dhe mjetet e tjera mbrojtëse me 2-3 fishin e çmimit të tregut dhe prapë u dha mjekëve të infektivit maska të skaduara dhe shpall në kundërshtim me ligjin si sekret shtetëror tenderat për blerjen e letrës higjienike dhe 9 të tjera që nuk kanë asnjë arsye për të qenë sekrete, në shkelje flagrante me ligjin.
Për Bardhin, SPAK ka mjaftueshëm fakte, të çojë para drejtësisë hajdutët e qeverisë që pasurohen si të babëzitur, kur shëndeti, jeta dhe mirëqënia e qytetarëve janë në rrezik.



