
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, priti sot në Tiranë zëvendëskryeministrin për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, Ervin Ibrahimović.
Pas takimit, dy ministrat nënvizuan rëndësinë e avancimit të projekteve ndërkufitare mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, duke veçuar projektin e urës mbi lumin Buna dhe hekurudhën Podgoricë–Hani i Hotit.
“Mendojmë të riaktivizojmë një mekanizëm të rëndësishëm, siç është takimi ndërqeveritar. Ky është një instrument i domosdoshëm për të avancuar projekte ekonomike, infrastrukturore dhe të ndërlidhjes mes dy vendeve tona”, deklaroi Hoxha.
Ai theksoi se qeveritë e dy vendeve do të angazhohen për t’i dhënë shtysë projekteve prioritare, si hapja e pikës së përbashkët kufitare Zogaj–Skje, avancimi i projektit të urës mbi lumin Buna dhe ndërtimi i hekurudhës Podgoricë–Hani i Hotit.
Ministri shqiptar u ndal gjithashtu te roli i shqiptarëve në Mal të Zi dhe i minoritetit malazez në Shqipëri, të cilët i cilësoi si “ura të fuqishme lidhëse mes dy vendeve dhe një pasuri e çmuar e marrëdhënieve dypalëshe”.
Duke folur për bashkëpunimin rajonal, Hoxha vlerësoi marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve dhe rolin konstruktiv që Shqipëria dhe Mali i Zi luajnë në forcimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Ai vlerësoi gjithashtu progresin e Malit të Zi në negociatat me Bashkimin Europian, duke theksuar se çdo sukses i Podgoricës në procesin e integrimit evropian është një lajm pozitiv për të gjithë rajonin.



