
Mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut hyn sot në fuqi kontrolli i përbashkët kufitar, ku do të ketë vetëm një ndalesë kufitare mes dy vendeve. Për të prezantuar nismën “one stop shop” në Qafë Thanë ishin edhe dy kryeministrat Rama dhe Kovaçevski. Rama foli për më shumë "lehtësi dhe transparencë" si dhe një imazh të ri turistik të Shqipërisë. “Hyn në fuqi programi i ri kufitar 'Një ndalesë – Një kontroll', duke 'zhbërë' kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe lehtësuar qarkullimin e njerëzve dhe mallrave me procedura shumë të thjeshtuara”, shkruan Rama. Ndërsa kryeministri Kovaçevski. u shpreh: “Në Ballkan nuk na duhen kufijtë, kufij nuk ka në Evropë dhe nuk ka pse të ketë në Ballkan. Nëse shikoni marrëdhëniet politike mes Maqedonisë dhe Shqipërisë janë në nivelin më të lartë. Jemi bashkë këtu me Shqipërinë që të hapim one stop shop për shërbimet policore dhe doganore”.



