
Deputeti socialist Erion Braçe pak orë pasi Partia Socialiste i rrëzoi amendamentin në kuvend ka bërë një paralajmërim në rrjetin social Facebook.
Mesazhi i Braçes i postuar pak pas mesnatës ka ngjallur dyshime, teksa vjen pas një minibeteje të tij në parlament, ku vetë grupi i PS doli kundër një amendamenti të propozuar prej tij.
Braçe ka postuar një foto të tijën në Kuvend, teksa shkruan: “Koha për punë tjetër!” Ndoshta deputeti socialist Erion Braçe ka vendosur të ‘tërhiqet’ nga politika?
Kujtojmë se deputeti i PS-së Erion Braçe propozoi që mbështetur në nenin 75, pika 3 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë në projektligjin ‘Për një shtesë dhe disa ndryshime në ligjin nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, të bëhet shtesa e mëposhtme: Pas pikës 40, të nenit 56 Përjashtime të veçanta në import, shtohet pika 40/1 me këtë përmbajtje: 40/1.Importimi i mëshqerrave të mbarsura.
Megjithëse amendamenti i tij ka gjetur mbështetje dhe tek opozita, kanë qenë vetë kolegët e grupit socialist që e kanë rrëzuar. Pro amendamentit kanë votuar vetëm deputetët e PS-së Fatmir Xhafaj, Mimi Kodheli, Damian Gjiknuri, Nasip Naço dhe Eduart Shalsi, si dhe deputetët e opozitës.



