
Ndihmës-sekretari Amerikan për Evropën dhe Euroazinë, Philip T. Reeker, do të zhvillojë disa takime zyrtare në Shqipëri, Itali dhe Maqedoninë e Veriut.
Në njoftimin zyrtar të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) shkruhet se ai do të jetë në Tiranë më 30 qershor, ku do të takohet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Në këtë takim, sqaron njoftimi i DASH-it, do të diskutohet për marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe për fusha të tjera të interesit të ndërsjellë.
Më 1 korrik, Reeker do të mbërrijë në Ohër, ku do të marrë pjesë në Konferencën “Rruga për në Prespë”.
Sipas njoftimit të DASH-it, në konferencë do të theksohet mbështetja e SHBA-ve për dialogun e vazhdueshëm dhe bashkëpunimin drejt stabilitetit dhe progresit në të gjithë rajonin.
Ai do të takohet me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ministrin e Jashtëm, Bujar Osmani, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë për të diskutuar mbi prioritet e përbashkëta për Ballkanin Perëndimor.
Reeker do të shoqërojë Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në udhëtimin drejt Berlinit, Parisit, Romës, Vatikanit, Barit dhe Materas.



