Partia Demokratike ka përshëndetur deklaratën e ambasadores së Bashkimit Europian në vendin tonë, Romana Vlahutin për hapjen e negociatave pas realizimit të hapave të nevojshëm.
Gjatë fjalës së saj në Shkollën Europiane Verore, ambasadorja Vlahutin tha se Komisioni Evropian do të jetë gati të bëjë hapat e tjerë për të çelur negociatat pasi të nisë zbatimi i Vettingu-t.
Vlahutin u shpreh se asgjë nuk ndryshon për një vend pasi hyn në BE, por se gjërat duhet të ndryshonin përpara futjes në Europë, dhe për arritja e kësaj varet nga vendosmëria për sundimin e ligjit, si dhe lufta kundër drogës.
Sipas PD, lufta ndaj drogës është një kusht me rëndësi për integrimin e vendit, shqetësimin të cilin ata e kanë shprehur për tre vite rresht.
“Më në fund, Ambasadorja u tha shqiptarëve të vërtetën të cilën kryetari Basha dhe Partia Demokratike e ka thënë çdo ditë për tre vjet: nuk mund të ketë çelje negociatash nëse nuk ndalet kanabisi”, thuhet në deklaratën e PD.
Sipas tyre, ecuria e integrimit europian është mbajtur dhe po mbahet peng nga vetë Edi Rama.



