
Më 28 dhjetor, Kosova do t’u drejtohet zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Ndërsa na ndajnë rreth 10 ditë nga dita e votimit, fushata elektorale ka hyrë në fazën e saj më intensive, me pritshmërinë që këto zgjedhje t’i japin fund edhe ngërçit politik në vend.
Ish-deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, në një analizë për “MCN Live”, vlerëson se Kosova ka sot më shumë se kurrë nevojë për unitet, qetësi dhe vizion të qartë, elemente që sipas tij nuk janë ofruar nga kryeministri Albin Kurti dhe qeveria e tij gjatë viteve të fundit.
Në këto zgjedhje jemi në një fushatë ku, si PDK, jemi përpjekur të instalojmë një frymë dhe një mënyrë të re komunikimi.
Pesë vite qeverisje e Kurtit dhe gjuha e ashpër që ai ka përdorur na kanë dhënë një leksion të qartë se përçarja dhe retorika konfliktuale nuk çojnë në ndërtim.
Edhe izolimi ndërkombëtar i Kosovës ka qenë një nga pasojat e kësaj qasjeje. Izolimi me të cilin është përballur vendi, për shkak të mungesës së koordinimit me aleatët tanë strategjikë, nuk sjell zhvillim, por vetëm izolim dhe retorikë linçuese e degraduese.
Krahasimet e paqëndrueshme dhe sulmet ndaj individëve apo subjekteve që bartin vlera shtetërore, duke i barazuar me antivlera, nuk janë të qëndrueshme dhe nuk kanë të ardhme.
Berisha theksoi se Kosova ka nevojë urgjente për një drejtim të ri.
Besoj se Kosova sot ka shumë më tepër nevojë për unitet, qetësi dhe vizion të qartë për të ecur përpara. Këto nuk janë ofruar përgjatë viteve të qeverisjes së Kurtit.
Nëse i referohemi Raportit të Progresit të BE-së apo raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për demokracinë, vërejmë se fjala ‘sukses’ është zëvendësuar me ‘ngecje’ dhe ‘dështim’.
Në raportin amerikan flitet për sulme ndaj sistemit të drejtësisë, korrupsion të lartë në qeveri, shkelje të lirisë së shprehjes dhe presion ndaj medias.



