Gazetari Mariglen Kume, për “Foltoren 2” e cila do të mbahet pasditen e sotme para kryeministrisë, një javë pas të parës, thotë se Partia Demokratike është e paqartë në retorikën politike që përdorë.
Nga studio e “MCN Live”, ai deklaroi se ka kakofoni dhe mosdakordësi lidhur me këtë aksion.
Është totalisht e paqartë në këtë aksion që do marrin, në foltoren e së hënës së kaluar, pankartat kishin disa mesazhe, për barazinë gjinore, korrupsionin, kryeministrin. Nëse i ke këto elementë nuk është foltore, por protestë. Duke qenë se numri i pjesëmarrësve ishte ai që ishte, dolën me foltore. Zoti Berisha ka thënë qëndresë.
Thanë që do bëhet sa herë ka parlament, për të qenë një dritare për qytetarët. Ka një kakofoni në argumentet që japin për të bërë këtë foltore-protestë. Unë i qëndroj protestës, se nuk shoh asnjë element për foltore. Thonë se do bëjnë dhe analizën e humbjes në zgjedhje me që ka dalë dhe raporti i OSBE-ODHIR. Por analiza nuk bëhet vetëm në Tiranë.
Nëse Partia Demokratike do e konsiderojmë si parti lokaliste që operon vetëm në kryeqytet, atëherë po. Është e paqartë në retorikën politike që përdorë. Nga Kryesia dhe Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, nuk ka dakordësi. Zoti Murrizi apo zoti Alimehmeti, nuk janë dakord me këtë aksion që po ndiqet. Ka një lloj mosdakordësie brenda PD. Ishte disi e nxituar dhe nuk u kuptua qartë.
Opozita thotë se kartën më të fortë ka atë morale dhe nëse nuk luan me nderin, nuk ke se me çfarë luan. Kjo është situatë e rëndë, se në tërësi dëmton shqiptarët. Se nëse do kishim një opozitë të ndershme, pa interesa, çdo gjë do merrte revansh. PD nuk ka bazë, është e shkërmoqur. Secili e ka mendjen të negociojë me palën e pushtetit.



