Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar mediat që i konsideron të lidhura me pushtetin për një fushatë të ashpër në mbrojtje të Edi Ramës dhe kundër Partisë Demokratike.
Gjatë një takimi me kryetarët e degëve, Berisha e cilësoi situatën si të pazakontë, duke theksuar se ajo që ai e quan “mafia mediatike shqiptare” është vënë në mbrojtje të kryeministrit dhe po sulmon opozitën.
Situata është e jashtëzakonshme sepse si rrallë ndonjëherë, mafia mediatike shqiptare, e cila për nga rrezikshmëria është mafia numër një, më e rrezikshme sesa mafia miliardere e kokainës, është hedhur në një sulm të shfrenuar në mbrojtje të Edi Ramës, vjedhjeve dhe krimeve të tij dhe kundër Partisë Demokratike dhe demokratëve.
Duhet thënë se në këto kohëra të paprecedentë në të cilat kalon Shqipëria, demokratët dhe demokratët, mbështetëset dhe mbështetësit tanë me protestat e tyre, me kryengritjet e tyre dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm. Luajtën një rol shumë të madh sepse në qoftë se ju ndiqni qeverisjen e Edi Ramës, ajo bazohet në rrafshin ndërkombëtar në korrupsion, lobim korruptiv.



