Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ngritjen e taksave ndaj mallrave serbe në 100%, është komentuar në Beograd si kundërpërgjigjje sa herë mes këtyre dy shteteve ka seanca bisedimesh me faktorin ndërkombëtar.
Tash së fundi, Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka thënë se nuk do të rikthehen në dialog pa e hequr Kosova vendimin për taksë ndaj produkteve serbe.
Ai thotë se serbët nuk janë budallenj dhe nuk do lejojnë të poshtërohen, raporton tv serb Tv Pink.
Sipas tij përveç që Kosova duhet të heq taksën, duhet edhe të kërkojë falje pastaj për dëmin e shkaktuar ndaj Serbisë. “Nuk ka vazhdim të dialogu pa e hequr taksën. Ne nuk jemi budallenj dhe nuk do të lejojmë të poshtërohemi dhe mashtrohemi. Së pari kërkim falja, pastaj e shohim se sa keni borxh për këtë provokim”, ka thënë Vuçiq.
Këto deklarime të Vuçiq vijnë pak ditë pasi kancelarja gjermane, Anglea Merkel, dhe presidenti i Francës, Emanuel Macron, kanë dërguar ftesë në adresë të tij, kryeministres Brnabic, presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, për një takim në Berlin me 29 prill, në të cilin pritet të diskutohen dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, vendimi për taksën dhe ideja për korrigjim të kufijve.



