
Kreu i PD-së Sali Berisha më shumë synon të dominojë partitë opozitare sesa të luftojë Ramën.
Ky është perceptimi i ish-presidentit Bamir Topi, i ftuar, në emisionin “Të paekspozuarit” në MCN tv.

Ai gjykon se opozita është në krizë teksa rëndësia e liderit të opozitës krijon përplasje të ashpra për kontrollin e skenës opozitare.
Shansi është relativ, varet se çfarë partitë politike pretendojnë të arrijnë. Ato lloj premtimesh për mua janë arkaike që u premtohet njerëzve që do të vij në pushtet, ky është një iluzion i rremë.
Unë mendoj se Berisha ka një eksperiencë të jashtëzakonshme politike, më mirë se kushdo tjetër ai e din që në kushtet në të cilat ndodhet opozita, kur kjo opozitë vetëm fragmentarizohet madje një pjesë e tyre kanë dal rishtazi nga radhët e PD, unë mendoj se është një opozitë në krizë dhe jo rastësisht them se në këto kushte, problemi është se kush do ta marrë juridikisht kontrollin e opozitës.
Kjo është arsyeja se pse kanë dal shumë rryma në opozitë dhe të gjitha këto rryma eliminohen ose është tendenca për ti eliminuar në zgjedhje më shumë sesa nga mazhoranca, nga ai që konsiderohet sot, kreu i opozitës, për shkak të numrave.



