E ftuar në "MCN Live", juristja Alesia Balliu ka analizuar situatën aktuale politike në vend, zhvillimet brenda Partisë Socialiste, qëndrimin e opozitës, si dhe pritshmëritë për zgjedhjet e 9 majit.
Sipas Balliut, protestat aktuale përfaqësojnë shpresën e një brezi të ri që kërkon shkëputjen nga politika e vjetër, ndërsa hodhi akuza të forta ndaj kryedemokratit Sali Berisha, duke e cilësuar atë si pengesën kryesore për rotacionin politik.
Duke komentuar lëvizjet qytetare dhe rolin e opozitës, Balliu u shpreh se brezi i ri është kundër të dy figurave kryesore të tranzicionit, Edi Ramës dhe Sali Berishës, duke shtuar se largimi i këtij të fundit do t'i hapte rrugën rrëzimit të qeverisë.
Protestën e shoh si një shpresë për Shqipërinë dhe zërin e të ardhmes, të atyre që duan një alternativë për një Shqipëri më të mirë, ku të mos jenë më politikanët e vjetër. Janë një brez që duan që Shqipëria të bëhet shtëpia e tyre, të japin kontributin e tyre dhe janë kundër Ramës dhe Berishës. Mendoj që nëse Berisha jep dorëheqjen, Rama ikën brenda një muaji. Ai është garancia e pushtetit të Ramës dhe nuk ka ndryshim nëse Berisha nuk ikën, sepse është krye i korruptuar. Berisha shikon ëndrra duke menduar se ka rikthim të tretë, por nuk e shikon që është një kufomë politike. Ai po mban peng demokracinë dhe garën; e vetmja gjë që bën është mbajtja e Ramës në pushtet.
Balliu nuk kurseu kritikat as për zhvillimet e fundit dhe përplasjet brenda kampit socialist, duke i cilësuar reagimet e Erion Veliajt dhe Elisa Spiropalit si lëvizje të diktuara vetëm nga interesat personale dhe humbja e posteve.
Sa i përket Veliajt, shoh një reagim të vonuar. Këtë betejë Veliaj duhet ta bënte më herët; ai e filloi betejën vetëm kur iu prekën interesat e tij dhe jo për Partinë Socialiste. Ndërsa sa i përket reagimeve të Spiropalit, janë një telenovelë turke, ku ajo po vajton dashurinë e kryeministrit sepse ai ka zgjedhur Belindën dhe jo atë. Elisa, e cila dje e cilësonte si Skënderbe, reagon tani pasi e heqin nga postet që ia dhuroi vetë Rama. Çfarë llogarie mund t'i kërkojë ajo Ramës, përveçse faktit që ai ka zgjedhur Belindën?
Në lidhje me sfidën e ardhshme elektorale të 9 majit, Balliu theksoi se kjo garë do të jetë një test vendimtar për të gjitha palët dhe se opozita e re duhet të dalë nga vetë qytetarët protestues.
Lidhur me zgjedhjet e 9 majit, ato do të jenë një tregues qoftë për opozitën, maxhorancën, ashtu edhe për protestuesit. Kandidatët duhet të dalin nga sheshi dhe duhet t'i bëjnë ballë kësaj qeverie, sepse kushdo që hyn në garë me sloganin e PD-së është i humbur. Sheshi duhet të nxjerrë alternativën. Ilir Alimehmeti nuk është i aftë të menaxhojë Tiranën, nuk ka shtyllë kurrizore, është pazarxhiu i Berishës. Për mua e vetmja që i ka qëndruar stoike qëndrimeve të saj dhe duke bërë një politikë qytetare është Jorida Tabaku.
