
Lulzim Basha ka vijuar me akuzat e tij ndaj qeverisë duke theksuar se kjo qeverisje është politikisht e vdekur dhe se Rama kërkon të mbyllë dosjet e krimit dhe të kapë reformën në drejtësi.
Sipas kreut demokrat Basha, theksoi se e keqja ka kapluar sot edhe institucionet e pavarura dhe kjo është një krizë e thellë e vendit
“Kjo qeverisje është politikisht e vdekur! Ky kryeministër është politikisht i vdekur. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër që Rama të mbrojë veten dhe ministrat e tij të korruptuar dhe të lidhur me krimin, si Saimir Tahiri, pa kapur institucionet me vendime ekstraligjore, ekstrakushtetuese. E keqja ka kapluar sot edhe institucionet e pavarura. Kjo është një krizë e thellë e vendit. Ne nuk mund të jemi një opozitë europiane, normale kur ne nuk kemi zgjedhje normale, kur shkelja e Kushtetutës është një precedent që zor se e qenë në diktaturat afrikane dhe aziatike", tha Basha.
Gjatë intervistës në emisionin ‘Top Story’, kryedemokrati tha se djegia e mandateve është reagim, nuk është zgjidhje. Zgjidhja tha Basha është të rikthejmë demokracinë, të rikthejmë shtetin ligjor.
"Së pari është duke detyruar vjedhësin e sendit të vjedhur të kthejë sendin e vjedhur. Me 25 qershor është vjedhur një mandat qeveritar që nuk i takon Edi Ramës. Hapi i parë është kthimi i sendit të vjedhur, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, përmes një qeverie antimafia e cila nuk përbën pengesë, apo kërcënim për reformën në drejtësi, por që zbaton atë reformë në drejtësi, siç ka kaluar me konsensus të plotë, me 140 vota në Parlamentin shqiptar, dhe që është e përkushtuar për t’i dhënë shqiptarëve mundësinë të zgjedhin qeverinë e tyre të lirë dhe bazuar mbi praktika demokratike, jo me tepsi, kazan e timon, por mbi oferta politike", tha Basha.



