Entusiazmin për konsensusin politik që arritën dy partitë e mëdha lidhur me reformën zgjedhore nuk e ka fshehur kreu i Prezencës së OSBE-se, Bernd Borchardt, i cili ka përgëzuar palët dhe u ka kërkuar të përshpejtojnë dialogun për të përmbyllur gjithshka deri në fillim të javës së ardhshme. Në një deklaratë të shkruar OSBE nuk përmend asnjë datë zgjedhjesh, por lë të kuptohet se ato mund të mbahen edhe para vitit 2021.
“Unë i nxit të gjitha partitë në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore të vijojnë të ecin në rrugën e gjetjes së kompromiseve konstruktive dhe ta finalizojnë reformën zgjedhore, në të mirë të Shqipërisë dhe të aspiratave të saj për integrim. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe ODIHR-i do të vijojnë të ofrojnë mbështetje për përmbylljen e kësaj reforme të rëndësishme sa më shpejt, idealisht brenda 31 majit, sikurse janë zotuar partitë politike. Po ashtu, ne do të vijojmë të mbështesim dialogun për teknologjitë e reja të votimit dhe për ndryshimin e sistemit zgjedhor."
Boshard thotë se OSBE po ndjek me interes të veçantë përpjekjet e partive për kompromis lidhur me depolitizimin e administratës zgjedhore, kuotat gjinore, ngritjen e një strukture të posaçme për eliminimin e presionit ndaj administratës dhe të shpërdorimit të burimeve shtetërore, krijimin e mekanizmave më të fortë kundër krimit zgjedhor, kontrollin dhe transparencën e financimit të fushatës, dhe përpjekjes për t’I dhënë fund praktikës së të ashtuquajturave kaseta të gatshme.



