
Këto dy ditë ka pasur një debat në media dhe në rrjetet sociale midis Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, z.Gazmend Bardhi dhe Presidentit të Republikës z.Ilir Meta, në lidhje me faktin se kush është fajtor për rezultatin në Gjykatën Kushtetuese përsa i përket shqyrtimit të vlefshmërisë së zgjedhjeve të 30 qershorit 2019.
Burimi i kësaj sherrnaje duket se është qendrimi që u mbajt nga përfaqësuesit e një subjekti politik, që na fakt lihet në harresë. Kështu, me idenë e të kundërshtuarit gjithcka që kishte të bente me procesin zgjedhor të 2019, përfaqësuesit e Shoqatës së Bashkive, kërkuan edhe konstatimin antikushtetues të Partisë Bindja Demokratike. Kjo solli si pasojë që kjo Parti të thirrej nga Gjykata Kushteteuese, si subjekt i interesuar në këtë proces. Mesa duket llogaria në këtë rast, për kërkuesit doli e gabuar.
Në thelb procesi ndoqi këtë linjë, ku përfaqësuesit e Shoqtës së Bashkive dhe Presidentit të Republikës, bashkuan argumentat që procesi zgjehdor i 30 qershorit 2019, ishte antikushtetues pasi nuk kishin respektuar dekretet e Presidentit të Republikës, për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve dhe caktimin e një date të re zgjedhjeje. Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi, bashkuan argumentat duke pretenduar se ky proces zgjedhor ishte në përputhje me Kushtetutën. Avokati i Popullit, u përpoq që të mbante një qendirm neutral duke dhënë argumenta në favor të të dyja palëve, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mbajti një qendrim mohues, duke mos u shprehur për asnjë nga pretendimet e ngritura nga palët në proces.
Në rastin e Partisë Bindja Demokratike, situata u bë më e komplikuar. Kështu ky subjekt fillimisht ngriti pretendimin se Shoqata e Bashkive nuk legjitimohej që të kërkonte antikushtetushmërinë e partive politike, argument i pranuar nga Gjykata Kushtetuese në paragrafët 64-72 të vendimit. Argumenti tjetër i ngritur nga ky subjekt (por edhe nga Kuvendi dhe nga Këshilli i Ministrave), ishte që Gjykata Kushtetuese nuk kishte juridiksion për të shqyrtuar këtë cështje, fakt ky që u pranua si nga Komisioni i Venecias në opinionin e saj, ashtu edhe nga Gjykata Kushtetuese në paragrafët 24-61 të vendimit të saj.
Por argumenti që ngjalli më shumë debat dhe i artikuluar nga përfaqësuesit e kësaj force politike, ishte fakti, që kjo çështje dukhej që të kishte ardhur në formën e një tjetër gjykimi kushtetues dhe më konkretisht në formën e një gjykimi për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave (sipas nenit 124 dhe nenit 131, pika 1, gërma “ç” e Kushtetutës). Më konkretisht sipas përfaqësuesve të Partisë Bindja Demokratike, duke qenë se Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit, kishte konstatuar pavlefshmërinë e Dekretit të Presidenit të Republikës për anullimin e datës së zgjedhjeve, atëherë Presidenti i Republikës duhej që të kërkonte në Gjykatën Kushtetuese zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshje kompetencash, pra, në këtë rast do të shqyrtohej nëse, së pari, Presidenti mundej ta ndryshonte apo jo datën e zgjedhjeve dhe së dyti nëse Kolegji Zgjedhor kishte apo jo të drejtë të vlerësonte apo jo vlefshmërinë e Dekretit të Presidentit të Republikës. Sipas përfaqësuesve të Partisë Bindja Demokratike, kjo mosmarrëveshje duhej që të ngrihej brenda gjashtë muajve nga momenti që u shpreh Kolegji Zgjedhor. Pra, Presidenti duhej që ta ngrinte këtë mosmarrëveshje brenda datës 21 dhjetor 2019. Duke mos e ushtruar këtë mundësi, Presidenti i Republikës, në thelb kishte pranuar vendimmarrjen e Kolegjit Zgjedhor.
Ky moment, i cili mesa duket nuk u kuptua apo nuk u vlerësua nga përfaqësuesit e Shoqatës së Bashkive dhe të Presidenit të Rpeublikës (përderisa nuk bënë asnjë pyetje apo sqarim për këtë çështje), shkaktoi një debat më Gjykatën Kushtetutese, ku katër gjyqtarë të kësaj gjykate, drejtuan shumë pyetje pikërisht për sqarimin e këtij aspekti, moment i cili kulmoi me pyetjen e kryetares së Gjykatës Kushtetuese, se përse ky material nuk i ishte vënë në dispozicion Gjykatës më parë.
Pavarësisht kësaj situate, Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj nr.36, datë 4.11.2021, e pranoi këtë llogjikë kur u shpreh se:
62. Megjithatë, nisur nga sa u konstatua nga rrethanat e kësaj çështjeje dhe pretendimet e palëve, Gjykata vëren se përgjatë procesit zgjedhor për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të zhvilluar në qershor të vitit 2019, ka pasur mosmarrëveshje midis subjekteve që kanë kompetenca në lidhje me caktimin e datës së zgjedhjeve dhe zhvillimin e këtij procesi, të cilat kanë interpretuar në mënyra të ndryshme parashikimet kushtetuese ku janë mbështetur për ushtrimin e kompetencave të tyre, gjë që, siç ka evidentuar misioni vëzhgues i ODHIR-it, “krijoi një klimë ngërçi dhe polarizimi politik dhe votuesit nuk patën një mundësi kuptimplotë për të zgjedhur mes disa opsioneve politike” (shih faqen 1 të Raportit). Gjithsesi, asnjë prej subjekteve që legjitimohet të vërë në lëvizje këtë Gjykatë, nuk i është drejtuar me kërkesë për zgjidhjen e konflikteve me natyrë kushtetuese që bëjnë pjesë në juridiksionin e saj (shih paragrafin nr. 33 të këtij vendimi).
Ky qendrim i shumicës së gjyqtarëve kushtetues, përforcohet edhe nga qendrimi paralel që mbajti një tjetër gjyqtare e kësaj Gjykate e cila, ndër të tjera, arsyetoi se:
12. Dispozitat kushtetuese dhe ligjore, mbi bazën e të cilave ushtron veprimtarinë Gjykata Kushtetuese, përcaktojnë në mënyrë të qartë dhe shteruese se cilat subjekte mund të vënë në lëvizje gjykimin kushtetues. Për të gjitha sa u argumentua në këtë mendim, duke marrë në konsideratë edhe natyrën e mosmarrëveshjes objekt gjykimi, e cila, në vlerësimin tim, në thelb është mosmarrëveshje kushtetuese ndërmjet institucioneve shtetërore, shqyrtimi i saj do të bëhej nëse kërkesa do të paraqitej përpara Gjykatës Kushtetuese nga subjektet që legjitimohen për një kërkim të tillë.
13. Në përfundim, vlerësoj se në këtë çështje duhej të arrihej në konkluzionin se Gjykata Kushtetuese, sipas Kushtetutës, gëzon juridiksion kushtetues të plotë që të shqyrtojë mosmarrëveshjen objekt gjykimi, por për shkak se kërkesa nuk është paraqitur nga një prej subjekteve që legjitimohen për ta vënë në lëvizje atë, sidomos subjektet e përcaktuara nga vetë Kushtetuta si të tilla që të mund të kërkojnë gjykimin e një mosmarrëveshjeje kushtetuese lidhur me përcaktimet e nenit 124 të Kushtetutës, kërkesa rrëzohet vetëm për këtë shkak. Ky qëndrim është tërësisht në të njëjtën linjë dhe mban në konsideratë edhe gjetjet e Komisionit Evropian në dy raportet për Shqipërinë 2019 dhe 2020, të publikuara përkatësisht në datën 29.05.2019 dhe në datën 06.10.2020, ku, ndër të tjera, janë theksuar problematikat si pasojë e polarizimit intensiv politik për shkak të situatës së zgjedhjeve. Në raportin për Shqipërinë 2020 thuhet: “Më 30 qershor 2019, Shqipëria mbajti zgjedhjet lokale në një mjedis politik shumë të polarizuar. Pas heqjes dorë në bllok të mandateve parlamentare në shkurt të vitit 2019 dhe pas muajve të protestave në rrugë, opozita vendosi t’i bojkotojë zgjedhjet. Më 8 qershor, për arsye të kërcënimeve ndaj sigurisë, Presidenti dekretoi anulimin e dekretit të tij të mëparshëm që përcaktonte datën e zgjedhjeve dhe shpalli datën 13 tetor si datën e re të zgjedhjeve. Dekreti i Presidentit u shpërfill nga shumica në pushtet dhe nga organet e administratës zgjedhore.” . Në deklaratën e gjetjeve dhe përfundimeve paraprake për zgjedhjet vendore të datës 30 qershor 2019, Misioni i ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, ndër të tjera, është shprehur: “Zgjedhjet vendore të 30 qershorit u mbajtën pa e marrë shumë në konsideratë interesin e elektoratit. Opozita vendosi të mos marrë pjesë, kurse qeveria u tregua e vendosur për t’i mbajtur zgjedhjet pa opozitën. Në një klimë ngërçi dhe polarizimi politik, votuesit nuk e patën mundësinë të zgjidhnin mes disa opsioneve politike.” .
14. Ndaj në përfundim, mendimi im paralel është se kjo çështje e lidhur me kërkimin e parë të saj do të ishte mundur të gjykohej në mënyrë shteruese nga Gjykata Kushtetuese, nëse do të ishte kërkuar kontrolli kushtetues nga një prej subjekteve që vetë Kushtetuta përcakton si subjekt që legjitimohet si i tillë për kërkimet që lidhen me mosmarrëveshje kushtetuese, sipas përcaktimit të nenit 124 të saj.
Pra, në thelb, strategjia juridike për të kundërshtuar zgjedhjet e vitit 2019, për shkak se iu nënshkrua strategjisë politike për të injoruar vendimarrjen e institucioneve si KQZ dhe Kolegji Zgjedhor, rezultoi e gabuar, duke u rrëzuar nga një argument, bazuar në pasivitetin e organeve shtetërore.
/ MCN TV /



