MCN realizoi një intervistë me drejtoreshën e përgjithshme të Agjencisë për Programin Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmës së Huaj (SASPAC), Eridana Çano. Ajo foli për fondet e BE-së përmes programeve IPA III dhe Plani i Rritjes, prioritetet e tyre, si dhe mekanizmat e kontrollit për transparencën me këto fonde. Çano thekson se fondet do të kenë ndikim në projekte të rëndësishme që fokusohen në dixhitalizim, energji, dhe punësimin e të rinjve.
“IPA III mbështet vendet kandidate si Shqipëria për të përafruar legjislacionin me BE-në. Ndihmon në fusha si drejtësia, mjedisi, apo punësimi, apo edhe infrastruktura. Deri më tani në 4 programe vjetore që përfshijnë IPA 2021- IPA 2024, dhe programet 2025-2027 kemi një total prej 524, 8 milionë euro të alokuara. Prioritetet variojnë nga reforma në drejtësi, mbrojtja e mjedisit, përballimi i krizës energjetike, lufta kundër korrupsionit, qeverisja vendore, punësimi dhe përfshirja sociale”.
Çano vuri në dukje se përqindja e fondeve që menaxhohet nga autoritetet shqiptare ka arritur në 25, 8 për qind, krahasuar me 7 për qind gjatë IPA II, duke treguar sipas rritje besimi ndaj institucioneve vendase.
E pyetur çfarë ndikimi pritet të kenë fondet, Çano shprehet:
“Kemi projekte mjaft të rëndësishme. Programet operacionale janë të fokusuara në punësim, energji të pastër dhe dixhitalizim. Programet operacionale 2024-2027 shkojnë në vlerën 186,5 milionë euro, dhe do të përqendrohen në këto fusha: digjitalizimi përmes modernizimit të shërbimeve publike, energjia përmes efiçencës energjetike, panalet voltaike, transport elektrik, eleketrifikim i hekurudhave, kemi edhe punësimin e të rinjve, mbështetje për arsim”.
E pyetur përse plani i rritjes shihet si test gatishmërie për Shqipërinë në rrugën drejt BE-së, Çano tha: “Sepse është instrumenti ku provohen rezultate konkrete. Çdo hap i përmbushur është dëshmi se Shqipëria ka kapacitet të menaxhojë fondet europiane sipas standardeve të anëtarësimit dhe kjo është provë e qartë”.



