
Policia jep detaje për ndalimin e tifozëve çekë që tentuan ta fusin dronin në stadiumin “Fadil Vokrri”
Tetë shtetas të Republikës Çeke janë ndaluar nga Policia e Kosovës, pasi të njëjtëve u janë gjetur një dron dhe disa pankarta me mbishkrimet “Kosova është Serbi”, të cilat planifikonin ti shpalosnin gjatë ndeshjes Kosovë-Çeki në stadiumin “Fadil Vokrri”, shkruan Gazeta Express.
Policia e Kosovës ka njoftuar se “janë konfiskuar përkohësisht dokumentet e udhëtimit si dhe të gjitha pajisjet e gjetura tek ta dhe të njëjtit të lirohen në procedurë të rregullt“.
Policia ka konfirmuar se përvec Dronit dhe pankartës ku shkruhej “Kosova është Serbi”, është gjetur edhe një flamur i Serbise si dhe një “shufër hekuri”.
Lidhur me ndalimin e tyre ka reaguar edhe ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Çekisë.
Zëdhënësi i kësaj ministrie, Robert Rehak, ka thënë se ambasada e Çekisë është në kontakt me personat e ndaluar nga Policia e Republikës së Kosovës, shkruan irozhlas.cz.
Ai ka treguar se 6 meshkuj dhe dy femra janë ndaluar pasi po bartnin pankarta me mbishkrimet “Kosova është Serbi”.
Ai ka treguar se të gjithë janë liruar në mes të premtes dhe orëve të para të mëngjesit të së shtunës.
“Shtetasit çek janë intervistuar në Stacionin e Policisë në Ferizaj, 40 kilometra larg Prishtinës. Pas intervistimit, rreth orës 2 të mëngjesit të së shtunës janë liruar. Ambasada është në kontakt me të ndaluarit, dhe janë duke shkuar për në Prishtinë”, ka thënë Robert Rehak.
Lidhur me këtë ka pasur reagime edhe nga Shoqata e Futbollit të Republikës së Çekisë.
“Mund të konfirmojmë që një grup prej tetë tifozësh u arrestuan nga policia afër Prishtinës. Ata gjithashtu zbuluan piroteknikë dhe thika”, tha Michal Jurman, zëdhënës i Shoqatës.
Shoqatat kundërshton çdo sjellje të ngjashme të tifozëve që lidhin politikën me sportin. Situata aktualisht po trajtohet në bashkëpunim midis Policisë së Kosovës, Policisë çeke dhe Ambasadës së Republikës çeke.Sa i përket ndeshjes së sotme, masat e sigurisë do të forcohen kur hyjnë në ndeshje. Për shembull, tifozët nuk do të jenë në gjendje të marrin asgjë tjetër përveç flamurit çek në stadium”, thotë Jurman nga Shoqata e Futbollit të Republikës Çeke.
Kosova dhe Çekia do të përballen gjatë ditës së sotme në “Fadil Vokrri” në kuadër të kualfikimeve për Euro 2020.



