
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, mbrojti në Parlamentin Europian investimin në Zvërnec dhe ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, duke kundërshtuar kritikat e ngritura për ndikimin e tyre në mjedis. Ai tha se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në mbrojtjen e natyrës dhe se debati duhet të mbështetet mbi fakte, jo mbi dezinformim.
Balla u shpreh se në diskutimet e zhvilluara është krijuar qëllimisht një lidhje mes Parkut Kombëtar të Lumit Vjosa dhe zonës së Nartës, ndërsa theksoi se Shqipëria ka një model unik në Europë për mbrojtjen e lumenjve.
Është bërë qëllimisht që dy parqet, ai i Vjosës dhe ai i Nartës, të bashkohen në të njëjtin debat. Ne jemi i vetmi vend në Europë që kemi një park kombëtar të një lumi të egër si Vjosa. Kjo është një arritje për të cilën duhet të flitet dhe të vlerësohet. Ju duhet të mësoni nga ne, jo të na jepni mësime për mbrojtjen e natyrës dhe të biodiversitetit.
Duke iu referuar projektit të Aeroportit të Vlorës, Balla tha se kundërshtimet nuk kanë në themel mbrojtjen e mjedisit, por interesa që lidhen me konkurrencën në sektorin e transportit ajror.
Lidhur me Aeroportin e Vlorës duhet të dini se aty ka ekzistuar një aeroport shumë kohë më parë, i ndërtuar nga italianët. Shqipërisë i nevojitet një aeroport në jug dhe kjo është një domosdoshmëri për zhvillimin ekonomik e turistik të vendit. Lufta kundër këtij aeroporti nuk ka të bëjë me çështjet mjedisore, por me konkurrencën. Ne shpresojmë që vitin e ardhshëm të kemi mundësi të fluturojmë nga Vlora drejt Strasburgut", tha Balla.
Ai ftoi eurodeputetët dhe përfaqësuesit e institucioneve europiane të vizitojnë zonën për të parë nga afër situatën.
Do t'ju ftoja të vinit të realizonit një mision faktmbledhës të gjithë bashkë, jo për të marrë 'like', por për të parë realitetin në terren dhe për të krijuar një gjykim të bazuar mbi faktet.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së solli edhe të dhëna për sipërfaqet e mbrojtura në Shqipëri, duke theksuar se vendi ka zgjeruar vazhdimisht politikat për ruajtjen e biodiversitetit.
Në vitin 2014 prezantuam moratoriumin e gjuetisë për të mbrojtur jetën e flamengove dhe specieve të tjera. Sot 21.7 për qind e territorit të Shqipërisë është zonë e mbrojtur. Kemi 12 parqe kombëtare të kategorisë II dhe 11 peizazhe të mbrojtura. Këto janë fakte që tregojnë angazhimin tonë për mbrojtjen e mjedisit.
Ai hodhi poshtë pretendimet se është dhënë leje për zhvillimin e projektit në tokën e përmendur gjatë debatit, duke sqaruar se procedurat ligjore janë ende në vijim.
Sipërfaqja e tokës për të cilën u fol është pronë private dhe ajo që u tha nuk ishte e saktë. Nuk ka ende një leje të dhënë. Vlerësimi i ndikimit në mjedis do të analizojë të gjitha efektet e mundshme mbi habitatet dhe burimet ujore, ndërsa do të ketë transparencë të plotë me komunitetin lokal. Objektivi ynë është të promovojmë një turizëm të qëndrueshëm, që krijon vende pune, tërheq investime dhe njëkohësisht garanton mbrojtjen e të gjitha aspekteve mjedisore.
Në përfundim të fjalës së tij, Balla tha se debati publik duhet të mbështetet mbi informacion të saktë, duke e cilësuar luftën kundër dezinformimit si një sfidë të përbashkët për demokracitë.
Lufta më e madhe për demokracinë sot është lufta kundër dezinformimit dhe kjo është një betejë që duhet ta zhvillojmë të gjithë së bashku.



