Ish-aktori dhe politikani Arben Imami tha në emisionin “Zonë e Lirë” që drejtësia nuk rregullohet nga poshtë-lartë, por duke filluar nga Gjykata e Lartë në të gjithë sistemin.
I pyetur, a e shikon reformën në drejtësi si politikë të jashtme amerikane për të ndikuar politikën e brendshme shqiptare, Imami shprehet:
“Uashingtoni në 20-25 vitet e fundit shpesh herë është orientuar nga politikat ideologjike. Në situatën e dobësisë të një vendi të vogël, orientime të caktuara ideologjike, kanë pasur akses disproporcional. Shqipëria sot qëndron më keq se sa në 2012-ën që ishte një vit shumë i keq për ne. E vetmja gjë që kam qenë kundër është që drejtësia s’rregullohet nga poshtë-lartë, s’bëhet me revolucion, por nga Gjykata e Lartë te gjithë sistemi”.
Lidhur me ndryshimet kushtetuese të 2008-ës pas paktit Rama-Berisha, Imami tha:
“Marrëveshja e shpejtë, e menjëhershme, krijoi një precedent negativ për ndryshimin në Kushtetutë. Ka shumë njerëz të ditur që mund të japin mendim. E kam fjalën edhe për popullin e thjesht në një kuptim. Ka ekspertë, grupe ekspertësh jashtë, s’janë vetëm dy njerëz që e bëjnë një Kushtetutë. Dalim te substanca. Në pikëpamje të substancës s’ka bërë ndonjë dëm. Çështja e prokurorit të përgjithshëm ishte për t’u rregulluar. Ligji elektoral proporcional ishte një ligj adekuate për situatën. Ajo që preku Kushtetutën ishte vetëm heqja e 3/5 për zgjedhjen e Presidentit. Aty fillon të lëvizë”.
Duke folur për reformën në drejtësi Imami tha ndër të tjera se procesi nuk ishte demokratik, duke shtuar se gjërat u bënë fshehurazi, dhe u autorizua Fondacioni Soros.



