
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndërmarrë hapin e parë drejt organizimit të një takimi gjithëpërfshirës me qëllim zgjidhjen e ngërçit politik që ka bllokuar formimin e institucioneve të reja tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Përmes një deklarate publike, këshilltari për media i Presidentes, Bekim Kupina, bëri të ditur se Osmani ka rikonfirmuar gatishmërinë e saj për të ndërmjetësuar në krizën aktuale, duke pritur në takim liderët e partive politike.
Ai theksoi se presidentja ka shprehur këtë gatishmëri që më 16 prill, por deri më tani nuk ka pasur një kërkesë zyrtare nga partitë.
Tani që disa parti kanë shprehur interesim për një tryezë të përbashkët, kabineti i Presidentes do të nisë kontaktet me partitë politike për të përcaktuar kohën më të përshtatshme për një takim gjithëpërfshirës.
Ky zhvillim vjen në një moment kur disa subjekte politike po artikulojnë gjithnjë e më hapur nevojën për një tryezë dialogu, për të zhbllokuar situatën që ka pamundësuar konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e qeverisë së re.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka vlerësuar se një takim gjithëpërfshirës i thirrur nga Presidentja do të ishte një hap i domosdoshëm drejt zgjidhjes së krizës, duke propozuar formimin e një qeverie të re nga partitë që ishin në opozitë në mandatin e kaluar.
Nga ana tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka propozuar krijimin e një qeverie tranzitore deri në zgjedhjen e presidentit të ri vitin e ardhshëm – një ide që ka gjetur mbështetjen e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), por është kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje.



