Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sot me fillim nga ora 16:00 pret në takim të përbashkët liderët e partive politike.
Ftesa e Kurtit për takim të përbashkët me liderët e partive të tjera erdhi pas aktgjykimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese lidhur me situatën bllokuese në Kuvendin e Kosovës.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese vendosi se deputetët janë të detyruar që jo më vonë se 30 ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit, duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët.
Kurti tha se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese thekson qartë se detyrimi për ta konstituuar Kuvendin është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë.
“Si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe në emër të grupit më të madh parlamentar të dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, u jam drejtuar të gjithë krerëve të subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, me ftesë për takim të përbashkët të shtunën në orën 16:00, në përpjekje të radhës në funksion të konsensusit për konstituim të Kuvendit".
Ndryshe Kuvendi i Republikës së Kosovës u mblodh dje në vazhdimin e radhës të seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë.
Në hapje të vazhdimit të seancës kryesuesi Avni Dehari ftoi përfaqësuesit e subjekteve politike për një konsultë, pas aktgjykimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese.
Pas takimit konsultativ, kryesuesi Dehari njoftoi deputetët se përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike në takim ishin të mendimit që të ndërpritet vazhdimi i seancës.



