
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj edhe me kohë janë ftuar nga Gjermania dhe Franca në një takim me udhëheqësit shtetërorë të Ballkanit me qëllim të ‘shkëmbimit joformal të ideve’, ende nuk bëhet i ditur itinerari i nisjes.
Ndonëse ky takim do të mbahet me 29 prill, ende nuk janë bërë të ditura detajet se kur do të udhëtojnë krerët e shtetit në Berlin.
Presidenca e Kosovës , sipas portalit kosovar Telegraf, nuk ka dhënë ndonjë detaj se kur do të udhëtoj Presidenti i vendit. Ata thonë se me datën 28 do të tregojnë detajet e këtij takimi.
“Më 29 është takimi. Me datë 28 e lëshojmë njoftimin zyrtar me detajet”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Edhe Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë detaje lidhur me udhëtimin e kryeministrit Ramush Haradinaj në Berlin. Zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se takimi është paraparë të mbahet pasditen e 29 prillit.
Dy shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian, Gjermania dhe Franca kanë vendosur të mbledhin në Berlin më 29 prill udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe atë serb, Aleksandar Vuçiç.
Samiti do ta ketë theksin tek bashkëpunimi rajonal, por një nga qëllimet kryesor të këtij takimi duket se do të jetë fillimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.



