
Kreu i PD-së Lulzim Basha, ka refuzuar edhe njëherë ftesën e kryeministrit Edi Rama për bashkëpunim pas 25 prillit.
Basha duke i kthyer përgjigje Ramës nga Ndroqi, mohoi në mënyrë kategorike bashkëpunim me Edi Ramën, duke theksuar se kryeministri po kërkon të bëhet pjesë e ndryshimit tani që e ka kuptuar se ka dështuar për tetë vite.
Kryedemokrati kishte gjithashtu edhe sot një thirrje për socialistët e ndershëm siç tha ai që t’i bashkohen ndryshimit dhe të votojnë për PD.
“Kam një thirrje për socialistët që i takoj ditë për ditë që vijnë dhe bashkohen me ndryshimin. Në zemrat e tyre nuk vazhdohet më kështu. Ne jemi një familje e një komb. Keni vuajtur të njëjtat sfida dhe probleme. Ejani dhe bashkohuni me marshimin tonë drejt ndryshimit. 8 vite me radhë dështoi dhe tani që ka kuptuar se shqiptarët duan ndryshim kërkon të bëhet pjesë e qeverisjes në aleancën për ndryshim. Përgjigjia im është jo! Sepse siç e ka thënë dikur vetë, kur ke patur 8 vjet dhe s’ke arritur asgjë. Nuk ke pse kërkon katër vite të tjera. Rreziku më i madh për Shqipërinë është mandati i tretë për Edi Ramën. Nuk mund të ketë qeverisje me Edi Ramën, s’ka bashkëqeverisje me atë që dështoi. Kjo nuk ka për të ndodhur. 9 ditë na ndajnë, fati është në dorën tuaj,”tha Basha para mbështetësve në Ndroq”.



