Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka gjetur sërish kohë për t’i mbështetur kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, që në zgjedhjet e 25 Prillit në Shqipëri do të kandidojnë si të pavarur.
Sot ai u ka bërë thirrje qytetarëve të Mirditës, Laçit e Shëngjinit që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të votojnë për Iliaz Shehun, ky i fundit aktivist i VV-së që nga viti 2010.
Sipas Kurtit, Shehu është njeriu i duhur për të çuar përpara një projekt të mirëfilltë modernizues dhe evropianizues.
”Me Iliaz Shehun jam takuar para disa viteve, kur ai jetonte e studionte filozofi në Paris. Sot, ai është ligjërues universitar në Shqipëri. Aktivist i Lëvizjes qysh prej 2010, ai kërkon mbështetjen tuaj si Kandidat i Pavarur për deputet në Qarkun e Lezhës, me numër 13. Lëvizja është në Lezhë për të qëndruar, dhe me punën e Iliaz Shehut, Marin Nikollës, Emanuela Kamshit e shumë të tjerëve që po kontribuojnë pa u lodhur, shpejt Lezha do të jetë qendër e fortë e Lëvizjes.Qytetarë nga Lezha e Mirdita, nga Laçi e Shëngjini, mos harroni, në 25 prill, në fundin e fletës së votimit, Iliaz Shehun e gjeni si Kandidat të Pavarur me numrin 13”, shkruan kryeministri i Kosovës.



